Duka: Strakosha humbje teknike, por fitoi disiplina

Përjashtimi i Strakoshës për çështje disiplinore, që lidhet me mungesën e korrektësisë në paraqitjen në grumbullim, u komentua edhe nga presidenti Armand Duka. Sipas kreut të Federatës së Futbollit, Shqipëria humbi teknikisht, por fitoi disiplina. “Me vjen keq për portierin Strakosha, një nga lojtaret më kualitativ të skuadrës, por disiplina është lojtar ende më i rëndësishëm. Kam folur me trajnerin dhe lojtari nuk kishte arsye për të munguar. Është një humbje teknikisht, por fitore për disiplinën dhe mësim për lojtarin që Kombëtarja vjen përpara çdo gjeje”. Sfida ndaj Turqisë është finalja e parë drejt Europianit2020, me Dukën që shqetësohet për ftohtësinë e ambientit sportiv në vend. “Atmosfera për një ndeshje kualifikuese kaq të rëndësishme nuk e ndjej, Ndoshta nuk ka interes”, thotë presidenti i FSHF-së. Shqipëria i nis kualifikueset më 22 mars në Loro Boriçi, për të udhëtuar më pas drejt Andorras.