Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Durrësi në kohën e pandemisë, si goditën tërmeti dhe virusi pikën e fortë të qytetit?

Nga A2 CNN
19 Prill 2020, 15:15 | Aktualitet
Durrësi në kohën e pandemisë, si goditën tërmeti

Durrësi po përjeton ditët e tij më të qeta. Një diell si ky i kësaj fundjave do të mbushte plot rrugët, plazhet dhe lokalet e qytetit, që vetëm pak muaj më parë u godit rëndë nga  tërmeti.

Por, megjithatë, të gjitha janë bosh. Në pritje të verës dhe të panjohurës. Këto vite, qyteti i dytë më i madh në vend për nga popullsia po përjetonte një bum turistik. Polakë, belgë, holandezë, gjermanë dhe turistë të vendeve nordike ishin kthyer ndër frekuentuesit e tij të rregullt për pushime afatgjata, pa llogaritur ata vendas.  

Çmimet që hotelet e restorantet e Durrësit ofronin, për shumë shqiptarë mund të dukeshin të kripura, por për të huajt ishin mëse të arsyeshme. Por, në 26 nëntor 2019, ky “boom” pësoi goditje të rëndë. Prej frikës së tërmetit, shumë prej prenotimeve të realizuara muaj para hapjes së sezonit turistik, u anuluan. Por, goditja finale për qytetin bregdetar erdhi në mars, kur u evidentua rasti i parë me koronavirus.

Plazhi është i heshtur. Asgjë nuk dëgjohet përveç zhurmës së dallgëve. As zëra fëmijësh, as klientësh të rrëmujshëm në lokalet e peshkut. Të vetmit që mund të shijojnë natyrën në këtë fundjavë të izoluar janë ata që kanë shtëpi në këtë zonë.  

Tërmeti i shkaktoi Hasan Barometës 40 mijë euro dëme. Hotelin që çdo vit prenotohej nga të huajt, kishte vendosur ta rikostruktonte dhe për këtë mori një kredi. Në këtë fazë ende nuk e di se cili do të jetë fati i investimit të tij.

E njëjta pikëpyetje vlen dhe për Indrit Nuredinin. Sipërmarrësi thotë se tashmë turizmi shqiptar do të duhet të përshtatet me një mendësi të re, që sjell dhe kosto.

Në vijën bregdetare të Durrësit janë rreth 200 plazhet private. Raporti mes hapësirave private dhe plazheve publike në këtë vijë është 80 me 20. Por, a i ka Bashkia Durrës kapacitetet për të menaxhuar turizimin me distancim social? Florian Tahiri, nënkryetar i bashkisë, shprehet: “Task forca që ngremë çdo vit për turizmin mund të ketë një numër të shtuar personash këtë sezon. Jam i bindur që mund t’ia dalim për të marrë masa sa i përket pjesës së distancave të shezlloneve nga njëri-tjetri”.

A do të ketë kosto ky distancim për pushuesit? “Duhet parë parcelizimi i plazheve dhe mënyra se si do të konfigurohen ato. Në varësi të numrit të pushuesve, mund të ndikojë në çmimin e shezllonit”.

Derisa të gjendet përgjigjja se si do të zhduket koronavirusi, Hasani dhe Indriti vazhdojnë e shpresojnë. Ata, si shumë sipërmarrës të tjerë në këtë sektor, po bëjnë gati hotelet e restorantet për të pritur sa më shumë turistë.  

A2 CNN Livestream

Dita jonë