Dy javë nga hapja e bareve, makinetat në rrugë, një kafe e shpejtë në kohë pandemie

Kur kanë mbetur edhe 2 javë nga dita kur qytetarët do t’u rikthehen bareve dhe restoranteve në ambiente të hapura, një mënyrë e re për konsumin e kafes jashtë shtëpisë janë disa makineta të instaluara në rrugë nga biznese të ndryshme.
Shtimi i lëvizjeve të qytetarëve në rrugë ka shtuar edhe dëshirën për një kafe që i ngjason ekspresit të bareve dhe është krejt ndryshe nga ajo turke që konsumojnë në shtëpi.
Makineta të tilla, që janë instaluar nga bizneset, hasen shpesh ditët e fundit në rrugët e Tiranës dhe kjo duket tashmë si praktikë që i përngjason stilit të botës moderne.
“Si në çdo vend europian dhe amerikan, marrin me vete dhe vazhdon punën. Është zgjedhje, deri sa të jemi në karantinë”, thotë një qytetare.
Disa prej qytetarëve mendojnë se edhe pse është metodë që diktohet nga epoka e koronavirusit edhe masat duhet t’u përshtaten këtyre kohërave.
“I njëjti problem do të jetë, njerëzit do ta kenë problem pjesën e shtypjes së butonave”, thotë një i ri.
Këto makineta shërbejnë edhe për të ofruar diçka tjetër veç kafes, sidomos në fashat orare kur edhe dyqanet apo kioskat janë mbyllur.
Deri në 18 maj kur pritet që qytetarët t’u rikthehen bareve në ambiente të hapura, duket se kjo do të mbetet një mënyrë alternative për çdokënd që dëshiron të pijë një kafe.