Dy nismat e Tatimeve: Fiskalizimi dhe Antiinformaliteti

27 milionë lekë më shumë do të arkëtojnë tatimet nga aksioni anti informalitet. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nga kontrollet në ndërmarrjet që operojnë në fushën e ndërtimit dhe atë të karburanteve, dy prej sektorëve kyç të planit operacional, vlera e detyrimeve shtesë së bashku me gjobat arrin në rreth 27 milionë lekë.
Në bazë të deklarimeve të subjekteve, rezulton se në Shtator qarkullimi në ndërtim është rritur me 13%, ndërsa pagesa e TVSH është rritur me 81%. Edhe tek hidrokarburet, qarkullimi është rritur 34% krahasuar me muajin Gusht, ndërsa pagesa e TVSH-së është rritur me 36%.
Kjo vlerësohet edhe si shkalla e informalitetit që është ulur në këto dy fusha të ekonomisë.
Tatimet kanë identifikuar edhe 892 tatimpagues që nuk kanë paguar detyrimet, ku për një pjesë do të nisë konfiskimi i 50% të xhiros ditore.
Në vijim, në kuadër të planit për deklarimin e punonjësve në sektorët më me risk si Call Center, Fasoni dhe Ndërtimit, Tatimet kanë identifikuar subjektet që rezultojnë me më pak të punësuar, në të cilët do të bazohen edhe kontrollet.
Lufta kundër informalitetit do të fokusohet edhe në deklarimin e pagave reale, me 13400 individë të identifikuar si të nën paguar në bazë të profesioneve të tyre. Kjo fushatë ka nisur me dërgimin e letrave të personalizuara sensibilizuese ndaj bizneseve dhe vetë individëve që preken në të ardhmen nga vlera më e ulët e pensionit.
Për të folur për nismat dhe prioritetet e Tatimeve, në studion e A2 Business ishte e ftuar drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2