E emëruara për Gjykatën e Lartë, nuk i përgjigjet pyetjeve mbi vendimet për çështjet kyçe

E nominuara për Gjykatën e Lartë të SHBA, Amy Coney Barrett, ka shmangur pyetjet në lidhje me pikëpamjet e saj mbi çështjet kryesore në ditën e dytë të seancës së saj të konfirmimit të Senatit.

Gjykatësja konservatore refuzoi vazhdimisht të merrej me abortin, kujdesin shëndetësor dhe të drejtat e LGBTQ.

Ajo deklaroi se nuk kishte “asnjë agjendë” dhe u zotua t’i përmbahej “shtetit të së drejtës”.

“Unë jam 100% e përkushtuar ndaj pavarësisë gjyqësore nga presioni politik”, tha ajo.

Nëse gjyqtarja Barrett kalon seancën dëgjimore të komisionit, Senati i plotë do të votojë për ta konfirmuar ose refuzuar atë, për një vend të përjetshëm në Gjykatën e Lartë Amerikane.

Republikanët duan konfirmimin përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Kjo do t’i jepte Gjykatës me nëntë anëtarë një shumicë konservatore 6-3, duke ndryshuar ekuilibrin ideologjik të Gjykatës për dekadat e ardhshme.

Demokratët kanë frikë se emërimi i suksesshëm i gjykatëses Barrett do të favorizonte republikanët në çështje të ndjeshme politikisht që arrijnë në Gjykatën e Lartë.

Ajo është propozuar për të zëvendësuar Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq muajin e kaluar në moshën 87-vjeçare.