Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

“Edhe na pranojnë për martesë, edhe nuk na flasin”, Rama në Mynih: Negociatat u hapën, por nuk po nisin

Nga A2 CNN
18 Tetor 2020, 13:54 | Politikë
“Edhe na pranojnë për martesë, edhe nuk na flasin”,

Edhe pranojnë të martohen me ne, edhe nuk duan të na flasin. Me këtë logjikë kontradiktore e lexon kryeministri Rama hezitimin e Bashkimit Europian për t'u ulur në tryezën ndërqeveritare për të hapur kapitujt e negociatave të anëtarësimit. Duke mohuar të ketë krim shqiptar të organizuar në Europë, kryeministri kritikoi vendet anëtare se nuk deklarojnë hapur arsyet reale të refuzimit për zgjerimin e unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ka refuzuar në mënyrë sistematike se mosavancimi drejt BE-së është për shkak të mosplotësimit të kushteve nga Shqipëria. Nga Gjermania, vendi që ka një numër kushtesh ndaj nesh, Edi Rama tregoi se nuk i ka dalë inati nga qëndrimi i Emaunel Macron kur refuzoi hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë në kohën që përkonte me periudhën zgjedhore në shtetin francez. 

“I thosha pse nuk e thua publikisht: djema ju duam shumë; na pëlqeni shumë; duam t'ju marrim, por për momentin duam të lyejmë shtëpinë.  Ka diçka tjetër, nuk e thonë publikisht. Publikisht thonë: ah këta shqiptarët…kanë probleme, kanë këtë e kanë atë. Pra bëhet një problem në vend, sepse opinioni publik e dëgjon sikur ne po bëjmë gjënë e gabuar, jo sikur Macron është për t’u përballur në zgjedhje me Marin le Pen.’’

Edhe pas kalimit të betejës për të marrë ‘’po’’-në e hapjes së negociatave sfida nuk mbaroi. Ka një refuzim europian për t’u ulur në tryezë me Shqipërinë për t’i çuar para bisedimet për kapitujt e anëtarësimit.

“Pozicioni ynë është shumë i çuditshëm. Ne jemi të dashuruar… me një dashuri të verbër për Europën, që nuk e vëmë në pikëpyetje. Na thuhet që Europa do të martohet me ne, por a mund të martohesh kur nuk flet? Pra duam të martohemi me ju, por s’jemi gati të flasim. Anëtarësimi është një tjetër histori, por mendoj që negociatat janë tepër të rëndësishme për vendet tona. Sepse negociatat përbëjnë udhërrëfyesin dhe mjetet për të bërë vendet tona të besueshme, demokratike dhe t’i privosh nga ky instrument është e pakuptimtë.”

Një kritikë edhe për ata që, sipas kryeministrit, nuk i çelin derën Shqipërisë, me justifikimin e krimit shqiptar dhe këtu e ka me Holandën. Nuk ka krim shqiptar në Europë, tha Rama. Çfarë ka, është një Bashkim Europian i krimit të organizuar.

‘’Pra këta njerëz e kanë krijuar bashkimin e vet europian. Bashkimi Europian i krimit të organizuar është shumë më efikas: nuk ka veto, nuk ka programe buxheti, nuk ka piketa për t’u arritur, nuk ka negociata. Kush vrapon me shpejt fiton me shpejt dhe kaq.’’

Deklaratat, kryeministri i bëri në forumin ekonomik ‘’Europa Park’’ në Mynih, ku iu bëri thirrje investitorëve gjermanë të shfrytëzojnë fondin e BE-së për rajonin për investime në autostrada, hekurudha, energjetikë dhe digjitalizim. Rama tha se, ‘’Nëse ky plan do të zbatohet, rajoni do të jetë në pozitë krejt të ndryshme dekadën e ardhshme. Ejani të vizitoni Shqipërinë. Është vetëm një orë e disa minuta larg. Një vend shumë i bukur. Nuk do të pendoheni. Për të huajt është vendi më i sigurt në Europë.’’       

A2 CNN Livestream

Dita jonë