Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Efekti i COVID-19, çmimi i ulët në bursa, rritet importi i naftës

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2020, 17:23 | Ekonomi

Në një kohë kur kërkesa botërore për karburante është ulur si pasojë e pandemisë, industria e hidrokarbureve në Shqipëri ka shënuar rritje të importeve.

Edhe në vendin tonë, konsumi është ulur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, ndikuar nga ndalimi për një periudhë të gjatë kohe i transportit publik dhe kufizimeve të lëvizjeve të automjeteve ndërmjet qyteteve. Megjithatë, importuesit kanë zgjedhur të shfrytëzojnë çmimet e ulëta të naftës në tregjet botërore, për të krijuar rezerva.

Për 10 muajt e parë të vitit, vendi importoi 436 mijë ton karburante, me një rritje prej afërsisht 8 mijë tonë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sasi, kjo,  që kap një vlerë importi prej rreth 218 milionë eurosh.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Doganave raporton një rënie importesh për pjesën tjetër të mallrave të akcizës. Masat kufizuese kanë ndikuar në rënien me 5.7% të importeve të kafes dhe 8% të birrës.

Edhe më e thellë ka qenë rënia e importit të cigareve, me rreth 11% më pak krahasuar me periudhën Janar-Tetor 2019. Rënia e kërkesës për duhan dhe produktet e tjera, i atribuohet gjithashtu periudhës së karantinës dhe rënies së përgjithshme të të ardhurave të qytetarëve.

A2 CNN Livestream

Dita jonë