Eksodi i mjekëve, 3 mijë punojnë në Europë, qeveria ofertë për kthimin

Eksodi i mjekëve nuk ndalet. 150 specialistë ikin çdo vit nga Shqipëria. Edhe pse nuk ka shifra të sakta 3 mijë mendohet të jetë numri i tyre në spitalet e Europës.
Një përfaqësi e tyre është kthyer përkohësisht, vetëm disa ditë për samitin e diasporës. Por përse po ikin mjekët?
“Arsyeja e parë janë pagat e ulta, arsyeja e dytë është fakti që mjeku në Shqipëria nuk është e mbrojtur”, thotë Elona Meta, mjeke në Gjermani.
Altin Ndrio, ish drejtues në shërbimin shëndetësor, në vitet 2000, prej 10 vitesh punon mjek në qendrën universitare të Portos në Portugali. Arsyeja e largimit të tij ishte sëmundja e djalit, ku zgjidhjen e gjeti jashtë, e më pas dhe punën.
“Mungesa e paneleve për mundësinë e vendosjes së diagnozës më bëri të largohesha, në Portugali banonte edhe motra ime. Aty u bë diagnoza e djalit, që nuk kishte asgjë”, thotë ai.
Hemorragjisë në Shëndetësi nuk i ka shpëtuar as Kosova. Shqipe Alishani Gorani ka lënë shërbimin e Kosovës për një punë të mirëvlerësuar fillimisht në Francë dhe tani në Zvicër.