Energjia elektrike, prodhimi 3 herë më i ulët, importuam gjysmën e nevojave

Prodhimi i energjisë elektrike në vend ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë tre muajve të parë të 2019-ës. Hidrocentralet publike prodhuan 687 GWh energji, apo rreth 3 herë më pak se një vit më parë. Ndërsa hidrocentralet private dhe me koncesion prodhuan gjysmën e Janar-Marsit 2018, një performancë relativisht më e mirë se publikët, ndikuar nga rritja e kapaciteteve.
Në total për këtë periudhë janë prodhuar 1.28 TWh energji elektrike, krahasuar me 3.2 TWh një vit më parë. Në këtë mënyrë sasia e prodhuar ka qenë e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat për konsum. Rrjedhimisht, vendi është detyruar të importojë 900 GWh energji, në kontrast me një vit më parë kur ishim të fokusuar drejt eksportit.
Një prej të paktëve tregues pozitivë që vijnë nga të dhënat e Institutit të Statistikave është reduktimi i humbjeve në rrjet me 12%.
Po ashtu, duke nisur nga ky tremujor, në bilancin energjetik të vendit përfshihet edhe prodhimi nga impiantet fotovoltaike. Për periudhën ky prodhim arriti në vetëm 4.7 GWh, duke zënë modestisht vetëm 0.3% të prodhimit total.

Shkarkoni aplikacionin e A2