Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Energjia elektrike, Rama: Skavica dhe Vlora do të na ndihmojnë të arrijmë pavarësinë

Nga A2 CNN
27 Prill 2022, 13:46 | Politikë
Energjia elektrike, Rama: Skavica dhe Vlora do të na ndihmojnë të

Në një takim në Tiranë, me një grup investitorësh të sektorit energjitik që operojnë në tregun e SHBA-ve dhe BE-së, kryeministri Edi Rama tregoi për ambicien e tij për transformimin e Shqipërisë në eksportues neto të energjisë elektrike. 

“Me shumë kënaqësi dëshmoj progresin e kryer në punën për shndërrimin e impiantit të Vlorës, termocentralit të Vlorës në një impiant prodhimi energjie, në përpunim të energjisë së impiantit dhe po ashtu, të dëshmoj shumë gjëra që po ndodhin me energjinë diellore në Shqipëri. Shumë punë po kryhet për atë energjinë e erës dhe goxha punë masive që është në vijim për ëndrrën e gjatë të hidrocentralit të Skavicës, i cili do rrisë me 20% prodhimin e energjisë nga uji. Të tëra këto së bashku tregojnë një potencial konkret për të shndërruar Shqipërinë brenda kësaj dekade në një eksportues neto të energjisë, gjë që është madhore për një vend si Shqipëria dhe kemi rrugë”, tha Rama.

Furnizimi me gaz është një tjetër aspekt që ka vëmendjen e kryeministrit: “Disa ditë më parë, pata nderin të vizitoja Presidentin Aliyev dhe me kënaqësi ndjeva dhe dëshmova në fjalët e tij interesin e lartë që ka për t’u përfshirë në tubacionin Joniano-Adriatik, i cili mund të jetë një tjetër ndryshues i madh i lojës për rajonin tonë, por që në të njëjtën kohë mund të jetë dhe një fuqi, energji e re për Europën, që sa më shpejt të jetë e mundur të fitojë një pavarësi prej gazit rus”.

Rëndësinë e pavarësisë energjitike të rajonit nga burimet ruse e theksoi dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim: “Të gjithë kemi parë që pushtimi i pajustifikuar nga ana e Rusisë ndaj Ukrainës, ka bërë të qartë se diversifikimi i energjisë nuk mund të presë, madje mbrëmë kemi parë se si Rusia ka kërcënuar dhe ka bllokuar furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë. Siguria energjitike ka qenë gjithnjë e lidhur ngushtë me sigurinë kombëtare dhe ajo që po jetojmë në këto çaste e bën edhe më të dukshme. Rajoni duhet të kërkojë të gjejë zgjidhje krijuese së bashku, për të gjetur një rrugë të re përpara për sigurinë energjitike dhe sigurinë klimatike”.

Më konkrete në shfrytëzimin e gazsjellësit TAP ishte ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku: “Projekti ynë, ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e gazsjellësit TAP me portin e lundrueshëm LNG në Vlorë, nëpërmjet tubacionit Fier-Vlorë, ka tërhequr vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit, të cilët ndodhen këtu në këtë sallë. Deri para pak kohësh, injektimi i gazit të lëngshëm nga Vlora në TAP do ishte pritur me shumë skepticizëm. Sot, për shkak të pasojave të krizës energjetike, është e mundur e i zbatueshëm, por dhe çelësi fitues i këtij projekti”.

Balluku shprehu gjithashtu ambicien e shndërrimit të Shqipërisë në një qendër të furnizimit me gaz për Europën, por edhe në një kontribues me peshë për sigurinë energjitike.    

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli