Fasonët, Gjika: “Unë i mbroj, nuk bëhen para dhe të del qumështi i nënës, prandaj politikanët nuk i duan”

Fasonët janë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare, që punëson dhjetëra mijëra punonjës, me se shumti gra. Por edhe shumë e diskutuar. Nuk mungojnë problematikat, që vijnë nga kushte pune dhe rroga të ulta, por edhe nga vështirësi për sipërmarrësit dhe mungesë të ndihmës institucionale.
Për të diskutuar për këtë sektor, ishin të ftuar në studion e A2 CNN Gjergji Gjika, kryetari i Dhomës së Fasonistëve dhe Mirela Arkimandriti, drejtoresha ekzekutive e Aleancës Gjinore.
Sipas Arkimandritit, raportet e viteve të fundit tregojnë se një pjesë e mirë e problematikave të grave që punojnë në fasoneri nuk janë përmirësuar. Sipas saj, gratë ende vijojnë të punojnë “me orë të zgjatura, të shtunave, gjatë festave, që i shtohen presioni i madh psikologjik për të kapur normën si dhe kushte pune që shpesh herë nuk i ndihmojnë në përditshmërinë e tyre.
Për Gjikën, problemi qëndron më shumë tek perceptimi publik, që pranon se ndër viteve ka qenë skeptik. Por ai ka numra të ndryshme. “nga 700 fasone që ka Shqipëria, rreth 10-12% çalojnë seriozisht në kushtet e punës”. Por të tjerët, sipas tij, “ janë avangardë kundrejt realitetit rajonale, të paktën në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi.
Dhe kjo, edhe në mungesë të incentivit shtetëror. “Paga minimale është njësoj si në Maqedoni, 26 mijë lek, edhe pse Qeveria jonë euron e ka masakruar ndërkohë që Maqedonia e ka të stabilizuar, dhe ne prodhojmë produkte që shesim pikërisht në euro”. Por nuk është vetëm çështje monedhe, por edhe politikash. “Maqedonia i ka taksat e stabilizuara, ne i kemi rritur me 50% ose edhe 100%”.
Këtij fakti i shtohen edhe kushtet shpesh herë të ashpra të klientëve ndërkombëtarë ndaj sipërmarrësve shqiptarë të fasonerisë , që rrisin presionin mbi punonjësit.
Por kjo nuk justifikon problematikat, nga pjesa e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, që është i saktësuar nga një ligj por që nuk gjen zbatueshmëri, tek pagat minimale që shpesh herë nuk janë as reale, dhe diferenca kthehet mbrapsh nga punonjëset.
Këtu Gjika reagon, dhe deklaron që e vërteta është se ka një masë njerëzish në administratë që janë të korruptuar dhe nuk bëjnë punën e tyre për të evidentuar “mollët e kalbura” të një sistemi sipas tij të shëndoshë. “Unë mbroj biznesin e ndershëm fason. Nuk ka biznes tjetër ku biznesmeni shkon në punë në 5 të mëngjesit dhe kthehen në 10 të darkës, të del qumështi i nenës. Nuk behën para me këtë biznes, prandaj është i vetmi sektor ku nuk janë futur politikanet tanë”, thotë Gjika.

Shkarkoni aplikacionin e A2