1 miliard euro është kostoja totale që do të nevojitet për rindërtimin pas tërmetit. Por, cilat janë burimet ku do të mbështet qeveria për sigurimin e këtyre fondeve?
Deri më tani, rreth 106 milionë euro janë planifikuar nga buxheti i shtetit për vitin 2020 në funksion të rindërtimit. Ndërkaq, një tjetër burim janë donacionet për tërmetin, që sipas të dhënave arrijnë vlerën e 30 milionë eurove.
Këtu përfshijnë paratë e derdhura në llogaritë e qeverisë, përmes platformës e-Albania, bankave dhe Bankës së Shqipërisë. Ndërsa pjesa tjetër janë para të mbledhura nga organizata jofitimprurëse dhe individë përmes fushatave online ose në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Por, qeveria do të mbështetet edhe në Konferencën e Donatorëve, ku pritshmëritë janë për një shifër optimiste prej 450 milionë euro, sipas ministrit për Rindërtimin Arben Ahmetaj. Nëse në këtë llogari shmangim kreditë e mundshme nga FMN dhe Banka Botërore, kjo shifër arrin në 263 milionë euro.
Gjithë diferenca e mbetur në faturën prej 1 miliard që nuk do të arrihet të mblidhet përmes këtyre burimeve, pritet të sigurohet nga Eurobondi prej 600 milionë euro që pritet të marrë qeveria.