Fillon protesta, firmoset peticioni, Budina: Rindërtimi i Teatrit, rikthim i qytetarisë

Ndërkohë që protesta e sotme të mbështetësve të Aleancës për Teatrin, që protestojnë për shembjen e Teatrit Kombëtar të ditës së diel, kanë filluar hapat e mëtejshme të organizatorëve, si peticioni për rindërtimin e godinës ekzistuese, tashmë gërmadhë.
Robert Budina sqaron për A2 edhe motivacionet. “Peticionin e kemi filluar që para 2 vjetësh për mbrojtjen e Teatrit, e rifilluam edhe 2 muaj më parë ku kemi marrë 5 mijë firma edhe në kushtet e kufizimeve nga pandemia. Duhet t’i kundërvihemi praktikës të kryeministrit që mendon se është bajraktar dhe këto janë pronat e tij, ndërkohë që janë të popullit dhe trashëgimisë”, thotë regjisori, që shton se “do kërkojmë mbështetje masive të njerëzve për të rindërtuar Teatrin sipas planit të vitit 1938, e kemi ndërtuar në 3D , do ta përshtatim në ambientet e brendshme sipas kërkesave të kohës”.
Po kush është arsyeja kryesore e një rindërtimi të tillë? “Kryeministri shembi Teatrin për t’i thënë popullit që ju nuk do të ndërtoni kurrë qytetari, por në qoftë se ne i kthejmë tempullin qytetarit, do të kemi të drejtën të kërkojmë edhe shumë më tepër më vonë. Kultura është susta që do të zhvillojë vendin”, thotë regjisori që prej dy vitesh lufton për këtë çështje.
Budina shton edh eqë faktori ndërkombëtar po ndërgjegjësohet, “po ndërron mendje me shpejtësi skëterrë. Kam patur kontakte me media të mëdha franceze, britanike, amerikane. Janë të lemerisur, edhe ata që kanë mbështetur dikur Ramën. Shqiptarët duhet të kenë besim se gjithë energjia që kane shpenzuar nuk do të shkojë dëm”.