Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Fitorja e Vetëvendosje, Zaimi: Kanë nisur kontaktet e nivelit të lartë me LDK për koalicionin

Nga A2 CNN
9 Tetor 2019, 12:05 | Kosova
Fitorja e Vetëvendosje, Zaimi: Kanë nisur kontaktet e nivelit të

Anëtari i Vetëvendosje, Arbër Zaimi ishte i ftuar në Dita Jonë ku foli për zhvillimet e fundit në Kosovë pas zgjedhjeve, koalicionin qeverisës dhe marrëdhëniet me Serbinë dhe Shqipërinë. Zaimi konfirmoi edhe njëherë se LDK është opsioni i parë për formimin e koalicionit qeverisës dhe për këtë arsye kanë nisur dhe kontaktet e para në nivel të lartë.

“LDK është opsion i parë për ne dhe po ashtu edhe LDK është shprehur edhe gjatë fushatës se mundësia e parë për bashkëpunim është Vetëvendosja. Kështu që tashmë po presim që kjo gjë të konkretizohet. E kemi një projekt qeverisës, të cilin duhet ta diskutojmë dhe dakordojmë. Kanë filluar kontaktet dhe në nivele të larta, por është ende herët për të folur për konkretizimin e koalicionit qeverisës pasi duhen numëruar ende votat me kusht dhe ato të mërgatës”, tha Arbër Zaimi

Anëtari i Vetëvendosje foli se si do të ndryshojnë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës me qeverinë e re dhe çështjen e taksës. Sipas tij, Vetëvendosje i qëndron idesë se më mirë se taksa ndaj produkteve serbe është reciprociteti, i cili njihet dhe nga marrëveshjet ndërkombëtare.

“Qëndrimi i Vetëvendosje për sa i përket marrëdhënieve tregtare me Serbinë ka qenë prej 2012 i njëjti dhe ai është reciprociteti. Ne kemi thënë që nuk e heqim taksën përveçse për një gjë si reciprociteti e cila është si politikisht dhe ndërkombëtarisht më e drejtë, më e pranueshme, por edhe më radikale. Nëse Serbia nuk i pranon mallrat e Kosovës, as Kosova nuk i pranon mallrat e Serbisë. Taksa po interpretohet si gjest hakmarrës dhe kjo po duket si e papranueshme për një pjesë të aktorëve ndërkombëtarë. Vendosja e reciprocitetit është më e fortë se taksa. Reciprociteti bazohet dhe në marrëveshjet e tregtisë së lirë”, shtoi Zaimi.

Më të tej, Zaimi foli dhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe aspiratës së Vetëvendosje për bashkimin e dy vendeve. Ai tha se bashkëpunimi dhe marrëveshjet e arritura nga dy qeveritë nuk duhet të ngelin në nivel formal.

“Afrimi dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një projekt që as nuk e pengon dhe as nuk e zëvendëson dhe nuk e konkurron Bashkimin Evropian dhe anasjelltas. Janë projekte paralele, të dëshirueshme. Qytetarët e kanë aspiratë shekullore bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Marrëdhëniet mes dy vendeve të mos ngelen në nivelin formal, por të fitojnë dhe konkretësi. Kosova dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta që do i shërbenin shumë fushave”, përfundoi Zaimi.

A2 CNN Livestream

Dita jonë