Fitorja në Senat, Trump sulmon ashpër demokratët

Presidenti amerikan Donald Trump e festoi fitoren në Senat, me një fjalim ku sulmoi ashpër rivalët politikë, të cilët i quajti të shpifur e të ligj.
Ndërsa tregonte me krenari titujt e gazetave mbi shfajësimin e tij nga akuzat për abuzim me pushtetin dhe pengim të kongresit, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se “nuk bëmë asgjë të keqe, unë nuk bëra asgjë të keqe. Gjatë jetës edhe kam gabuar, më duhet ta pranoj, jo me qëllim, por kam gabuar. Po rezultati përfundimtar është ky. Kam thënë gjithmonë se ata janë politikanë të shpifur, janë të ligj. Adam Schiff është një person i tmerrshëm, i keq, ashtu si Nancy Pelosi.
Trump përdori fjalë të papërshtatshme (“It was all bullshit”) për të përshkruar hetimin e departamentit të drejtësisë lidhur me pretendimet se kishte bashkëpunuar me Rusinë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Toni i presidentit sugjeroi se ai ka besim të plotë tek besnikëria e partisë republikane në prag të zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor. Fjalimi i tij ndryshonte krejtësisht nga ai i presidentit Bill Klinton në vitin 1999, kur pas shfajësimit nga senati bëri një apologji të ndjerë ndaj popullit amerikan.
Apologjia e Trump iu drejtua familjes së tij. “Dua ti kërkoj falje familjes time që u detyrua të përjetonte këtë çështje të trilluar dhe të kalbur, të nisur nga disa njerëz të ligj e të sëmurë”, deklaroi Trump.
Më herët, Trump iu referua impeachment, si një përvojë e tmerrshme gjatë pjesëmarrjes në mëngjesin e lutjeve në Uashington, një event ku kremtohen liritë fetare.
“Nuk dua që njerëzit të përdorin besimin si justifikim për të bërë atë që e dinë se është e gabuar”, tha Trump. Ai iu referua faktit se Nancy Pelosi citoi besimin katolik, kur tha se do të lutej për Trump ndërsa lajmëroi nisjen e procedurave të impeachment.