Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Flet efektivja e policisë: Do flijohem në shtëpi, ndjesë kolegëve, kam të drejtë

Nga A2 CNN
13 Mars 2019, 17:21 | Aktualitet
Flet efektivja e policisë: Do flijohem në shtëpi, ndjesë

Për 4 familjet e ndërtesës në zonën e liqenit artificial nuk ka më qetësi. Mëngjesin e së mërkurës përmbarimi mbërriti sërish, por kësaj here përmes postës.

Sipas dokumentit, banesa do të prishet në orën 10:00 të datës 25 mars. Pas letrës së marrë, banorët nuk e fshehin tronditjen dhe friken për atë që i pret.

Një nga familjarët, Blerta Dervishi, nënë e dy fëmijëve, tregon për A2 CNN se ndaj tyre po bëhet padrejtësi.

“Ai thotë se na ka ofruar, por ne nuk kemi pranuar. I kemi pranuar, i kam pranuar ofertat e tua. T’i kam pranuar në sy Aleksandër. Më ke dhënë dorën mua, femër. Të kam thënë se do të firmosë në emër të dy familjeve. Edhe nëse nuk do të pranonin, do t’i firmosja unë sepse nuk dua të vazhdojë më ky kalvar kaq i gjatë. Unë fëmijët sot i kam të sëmurë. Kanë 3 ditë që nuk hanë e nuk pinë fëmijët e mi”, thotë me lot në sy Blerta.

Në shtëpinë e vjetër, të mbytur nga lagështia, kudo sheh dosje e dokumente të banesës. Pajiset dhe orenditë janë të vjetra gati sa banesa 70-vjeçare. Blerta nuk di çdo të ndodhen e 25 mars, por shprehet e sigurt se do ta mbrojë pronën me çdo formë.

“Shtëpia ime do të shembet bashkë me mua brenda! Kjo ndërtesë do të ndërtohet vetëm mbi kockat e mia dhe mbi gjakun tim”, thotë Blerta.

Pas 12 ditësh, Blerta, njëherësh efektive e policisë, do të jetë sërish përballë kolegëve të saj. U kërkon ndjesë për atë çka mund të ndodhë, por kjo është betejë për jetën, thotë ajo.

“U kërkoj ndjesë të gjithë. Unë do të përballem ndoshta. Nuk e di si do të jetë ajo ditë. Do ta bëjë për fëmijët e mi që të kenë një strehë. Unë nuk kam ku të shkojë më. Le të merret çdo lloj vendimi ndaj meje. Do të rrezikoj edhe vendim e punë. Unë shtëpinë nuk e lëshoj kurrë!”

Nëna e dy fëmijëve ka edhe një mesazh për qeveritarët që e cilësuan këtë rast vetëm çështje të drejtësisë.

“Vetëm për të pafuqishmit janë gjykatat. Për biznesmenët, për gjyqtarët, për deputetët, për ministrat nuk ka gjykata, ka ndërhyrje nga shteti, ndërsa për fëmijët tanë jo”, thotë e përlotur Blerta.

Në shtëpinë dykatëshe që stonon me ndërtimet në këtë zonë të Tiranës, 14 familjarë kërkojnë ndihmë. Nuk duan banesa sociale, por drejtësi për pronën e tyre.

A2 CNN Livestream

Dita jonë