FMN për PPP-të, a reflektoi qeveria?

FMN dhe Banka Botërore i ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen qeverisë që të ketë kujdes me kontrata PPP. Rekomandimet që institucionet financiare ndërkombëtare kanë bërë, nuk kanë gjetur zbatim në ndryshimet ligjore që qeveria ka sjellë për miratim në Kuvend. Ndërkaq në raportin për Shqipërinë, publikuar pak kohë, Fondi Monetar tonet ashpërsoi tonet ndaj qeverisë, duke nënvizuar se angazhimi i projekteve infrastrukturore përmes PPP-ve ka rezultuar në rritje detyrimeve potenciale.
Ndryshimet që qeveria i ka bërë ligjit të PPP-ve në draftin që ka nisur diskutimin në Kuvend nuk reflektojnë rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore.
Që prej lançimit nga qeveria të programit 1 miliard të PPP-ve, Fondi Monetar kërkoi kontabilizimin e kostove të këtyre projekteve në buxhet. E thënë ndryshe përllogaritjen e tyre te borxhi publik, gjë që qeveria ende nuk e ka bërë.
Gjithashtu, FMN kërkoi eliminimin e ofertave të pakërkuara, procedurë që qeveria e ka shtyrë për 1 korrik 2019.
Institucionet financiare ndërkombëtare i kanë mëshuar transparencës dhe garës në përzgjedhjen e kompanive, si dhe ndjekjes në vijueshmëri të zbatimit të projektit, gjë që qeveria e ka bërë pjesërisht nëpërmjet ndryshimit ligjor të raportimit mbi ecurinë e kontratave koncensionare.
FMN dhe Banka Botërore nuk kanë qenë kundër partneritetit publik privat, por mënyrës sesi ato po zbatohen në Shqipëri. Në raportin e fundit, FMN ashpërsoi tonet ndaj qeverisë, duke nënvizuar se angazhimi i projekteve infrastrukturore përmes PPP-ve ka rezultuar në rritje detyrimeve potenciale, ndërkohë që kontratat janë të hartuara dobët dhe mund të pengojnë eficencën e investimeve publike.

Shkarkoni aplikacionin e A2