Formimi i qeverisë në Kosovë, Thaçi: Kam nënshkruar mandatimin e Kurtit kryeministër – A2

Formimi i qeverisë në Kosovë, Thaçi: Kam nënshkruar mandatimin e Kurtit kryeministër

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas përfundimit të Akademisë Solemne për Falënderimin e Shqipërisë, foli për formimin e qeverisë së re të vendit.
Kreu i shtetit njoftoi se ka nënshkruar nominimin e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe se ky dokument gjendet në zyrën e tij.
Albin Kurti është i mandatuar si kryeministër i Kosovës, dhe dokumenti zyrtar e I firmosur qëndron në zyrën e presidentit. Kjo është bërë e ditur nga vetë kreu i shtetit, Hashim Thaçi, i cili theksoi se vendi dhe ngritja e institucioneve të reja nuk duhet të bllokohen.
Zgjidhjen për këtë ngërç, presidenti nënvizoi se e kanë partitë politike.
“Takimi ynë që ka qenë në zyrën time ka qenë një takim i një vullneti të mirë. Por, në të njëjtën kohë, dua të shpresoj dhe e them përsëri që të mos vazhdojë të mbetet vendimi im që e kam nënshkruar që Albin Kurti është nominuar si kandidat për kryeministër. Kështu që nënshkrimi im, me vendimin për mandatar ekziston dhe është në tavolinën time.”, deklaroi presidenti kosovar.
Thaçi ftoi Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje që të tregojë nëse e pranon apo refuzon mandatin si kryeministër për formimin e qeverisë së re.
Unë pres që vendimin të cilin e kam nënshkruar duke menduar se do ta marrë sepse ka zhvilluar fushatë si kandidat për kryeministër; prandaj është shumë normale që ta pranojë edhe zyrtarisht nominimin si kandidat për Kryeministër. Nëse jo, atëherë natyrisht se është e drejtë e tij e refuzimit publik dhe zyrtar se nuk është i gatshëm dhe kjo mbetet në përgjegjësinë e respektimit të vullnetit të elektoratit”.
Prej disamuajsh, Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po zhvillojnë negociata, por ende nuk kanë arritur të dakordësohen për një marrëveshje koalicioni. Së fundmi, këto forca politike po shkëmbejnë letra me ofertat e tyre për bashkëqeverisje, por arritja e dakordësisë finale duke ende larg.