Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Futbolli në Shqipëri gati për rinisjen, FSHF propozon protokollin mjekësor

Nga A2 CNN
3 Maj 2020, 17:38 | Futboll

Ndër masat e propozuara kundër COVID-19, teste para startit dhe matje e temperaturës në stadium. Hiqet shtrëngimi i duarve, nuk ka foto para ndeshjeve.

Një model gjerman, për ta aplikuar në Shqipëri. Kjo është zgjidhja e Federatës Shqiptare të Futbollit, për rikthimin e kampionatit.

Ndërsa këtë të hënë, më 4 maj, vendi ynë nis fazën e dytë me lirimin e masave prej emergjencës së koronavirus, futbolli mbetet ende në pikëpyetje. Kërkesat e vazhdueshme të federatës drejtuar institucioneve përgjegjëse ende nuk kanë marrë përgjigje.

https://www.youtube.com/watch?v=AmQE1z_058I

Duke qenë se përpara rifillimit të kampionatit, ekipeve u nevojiten të paktën dy javë kohë për të rigjetur formën fizike, futbolli ka zgjedhur të luajë në sulm.

Protokolli shëndetësor, për të mundësuar zhvillimin e ndeshjeve është gati. Natyrisht që takimet do të luhet pa tifozë dhe vetëm me një numër të reduktuar personash. Ata që janë në fushë, ku përfshihen futbollistët, stafet teknike dhe arbitrat përbëjnë zonën e parë. Në total janë 84 persona.

Zona e dytë është në tribuna, në të cilën bëjnë pjesë punonjës të transmetimeve televizive, stafi dhe delegacionet e skuadrave, si edhe disa përfaqësues të mediave: gjithsej 59 persona. Ky grup, i cili do të jenë në tribunën e stadiumit, duhet të respektojë distancën prej dy metër nga njëri-tjetri dhe të mos afrohet me grupin e parë, që ndodhet në fushë.

Pjesë nga protokolli mjekësor i propozuar nga Federata e Futbollit

Në zonën e tretë janë 35 persona, përfaqësues të mediave dhe punonjës të tjerë, të cilët parashikohet të qëndrojnë përreth impiantit. Ndryshe nga Gjermania, numri i personave të pranishëm në ndeshje, do të jetë më i ulët, pasi bëhet fjalë për një total prej vetëm 183 personash. Mes masave të propozuara nga Federata e Futbollit, të cilat do t.i dorëzohen autoriteteve shqiptare, disa bien në sy, për mënyrën si ka ndryshuar sjellja e shoqërisë prej koronavirusit.

Gjatë hyrjes në fushë, skuadrat nuk do të kenë fëmijë që i shoqërojnë, nuk lejohen fotografitë përpara ndeshjeve, nuk ka ceremoni hapëse me këngëtarë. Gjithashtu skuadrat nuk lejohet të takohen, duke evituar shtrëngimin e duarve dhe nuk do të rreshtohen për përshëndetjen e zakonshme përpara ndeshjeve, por lojtarët do të pozicionohen direkt në vendet e tyre në fushë.

https://a2news.com/2020/03/30/kriza-nga-koronavirusi-futbolli-kerkon-kompensim-nga-shteti/

Duke ndryshuar sjelljet dhe duke u kujdesur për masat sanitare, ku nuk do të mungojë testimi i lojtarëve, apo matja e temperaturës, përpara hyrjes në stadiume, futbolli shpreson të rikthehet në fund të muajit maj, për ta mbyllur sezonin më 20 korrik.

A2 CNN Livestream

Dita jonë