Gjermania hap të gjitha dyqanet, Merkel: Jemi të guximshëm por duhet të bëjmë kujdes

Gjermania zbut edhe më tej kufizimet, mes përmirësimit të vazhdueshëm të situatës pandemike. Kancelarja, Angela Merkel, pranoi rihapjen e të gjitha dyqaneve si pjesë e një marrëveshje me liderët e 16 landeve për lehtësimin e mëtejshëm të masave të vendosura për të frenuar përhapjen e Covid-19. Shkollat do të rihapen gradualisht, ndërsa krerët e landeve do të marrin nën kontroll periudhën e kthimit të jetës sociale.
Ata do të kenë në dispozicion një “mekanizëm frenimi emergjent” nëse do të shpërthejë një valë e dytë infektimi.
“Ne po ndjekim një rrugë mjaft të guximshme, por me kushtet e tanishme ne e kemi një shans. Megjithatë, dëshiroj të përsëris se ne jemi edhe më të sigurtë se kjo do të funksionojë, nëse qytetarët do të bashkëpunojnë”, deklaroi kancelarja.
Me rregullat e reja dy familje mund të takohen së bashku, të moshuarit në azile dhe struktura të tjera përkujdesjeje mund të pranojnë vizita nga një person specifik. Por sigurisht gjermanët duhet të respektojnë distancimin fizik dhe mbajtjen e maskës mbrojtëse në ambiente publike.
Të dhënat zyrtare të pandemisë në këtë shtet janë 169 mijë të prekur dhe rreth 7 mijë viktima. Duke u bazuar tek të dhënat zyrtare, kancelarja Merkel tha se është arritur mbajtja nën kontroll e përhapjes së koronavirusit duke bërë të mundur mbrojtjen e sistemit shëndetësor nga kolapsi.