Gjinushi zgjidhet si kryetar i Akademisë së Shkencave: Politika duhet të dëgjojë njerëzit e dijes

Skënder Gjinushi u zgjodh sot nga Asambleja e Akademisë së Shkencave si kryetari i ri i saj për 4 vitet e ardhshme.

Ish kryetari i Kuvendit dhe lideri i partisë socialdemokrate mori 35 vota pro dhe 6 kundër. Në kryesi u zgjodhën edhe akademikët Neki Frashëri, Salvatore Bushati dhe Vasil Tole.

Gjinushi, që ishte kandidati i vetëm në garën për kryetarin e ri të Akademisë e cilësoi si një moment kyç reformimin e thellë te këtij institucioni. Në platformën e tij për mënyrën e funksionimit të Akademisë, Gjinushi veçoi se ky institucion do t’i shërbejë profesionalisht shoqërisë përmes studimeve të thelluara.

“Është një nder i madh dhe një besim i madh”’ deklaroi Gjinushi pas zgjedhjes, duke shtuar se “nuk do të guxonim ta merrnim përsipër ketë barrë pa ditur cilësitë e kësaj akademia. Këtu jemi të barabartë mes barabartëve, të gjithë bashkë duhet ta çojmë akademinë në vendin që i takon”.

Gjinushi preku edhe pjesën e kritikave për të kaluarën e tij politike. “Në qofte se ka rezerva për karrierën politike, them se unë jam bërë politikan nga matematika. Politika duhet të dëgjojë njerëzit e dijes, dhe jo e kundërta. Së bashku do të bëjmë që të dëgjohet më shumë zëri i njerëzve të dijes, dhe që politika të jetë më e kulturuar”.

Më herët sot nën/kryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho deklaroi se zgjedhjet në Akademinë e Shkencave ishin një proces fals e kriminal, dhe se sipas tij këto zgjedhje në akademi tregonin qartë atë çka pritet të ndodh me zgjedhjet lokale te 30 qershorit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN