Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Gjykata vendos për zhvarrosjen e eshtrave të ish-diktatorit spanjoll Franco

Nga A2 CNN
24 Shtator 2019, 16:38 | Bota
Gjykata vendos për zhvarrosjen e eshtrave të ish-diktatorit spanjoll

Eshtrat e diktatorit spanjoll Francisco Franco duhet të zhvarrosen. Ky është vendimi i Gjykatës së Lartë në Spanjë, e cila mbështeti planin e qeverisë për t’i zhvendosur eshtrat nga një mauzoleum shtetëror në një zonë më pak të kontestuar. 

Kërkesa e familjes së ish-udhëheqësit kundër zhvarrosjes u refuzua bashkë me propozimin për një vend alternativ. Luis Felipe Utrera, avokat i familjes, deklaroi: “Sigurisht që do të apelojmë. Kjo çështje do të zgjatet për aq sa ta lejojnë procedurat dhe nëse do të jetë e nevojshme, do t’i drejtohemi edhe Gjykatës së Strasburgut”. 

Çështja e zhvendosjes së eshtrave nga ai që kritikohej si i vetmi monument i mbetur në Evropë për një lider fashist ka përçarë opinionin në vend. Spanja vazhdon të përndiqet nga epoka e Francos, i cili fitoi Luftën Civile në vitet ‘30 dhe sundoi Spanjën deri në vitin 1975.  

Kryeministri Pedro Sanchez e cilësoi vendimin si një fitore të madhe për demokracinë, ndërsa zëvendësi i tij tha se procedura e zhvarrosjes do të zhvillohej sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk munguan as reagimet e viktimave të regjimit të Francos. Njëri prej tyre, Pablo Mayoral, tha: “Një fashist dhe dictator nazist si Franco nuk mund të prehet në një vend publik. Eshtrat duhet t’i jepen familjes”. 

Eshtrat e diktatorit prehen në një mauzoleum të madh të quajtur Lugina e të Rënëve, bashkë me dhjetëra mijëra civilë të vrarë në luftë. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë