Gjykimet e një dekade, si i peshoi drejtësia akuzat ndaj politikanëve

Pushimi i çështjes penale ndaj Lulëzim Bashës shënoi verdiktin më të fundit gjyqësor të një përballjeje mes një politikani dhe drejtësisë në vend.
Dekada e kaluar ishte e mbushur me çështje penale ku aktorë të rëndësishëm të politikës mbërritën deri në sallën e gjyqit si të pandehur, por pak prej tyre u fajësuar për akuzat e ngritura. Edhe në këtë rast, masa e dënimit të tyre anoi nga minimumi i marzhit të parashikuar në ligj.
Në vitin 2009 Gjykata e Lartë pushoi hetimin e nisur ndaj Lulzim Bashës, asokohe deputet dhe Ministër i Transporteve, në lidhje me dyshimet për abuzim 230 milionë euro gjatë ndërtimit të Rrugës së Kombit. Çështja ra për shkaqe proceduriale.
Tre vjet më vonë, një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë, i dha pafajësi Ilir Metës, i cili në pozicionin e zv. kryeministrit u akuzua për “korrupsion”. Çështja ndaj tij nisi pas publikimit të audio-përgjimit Meta-Prifti.
E njëjta gjykatë në vitin 2015 i vuri kapak gjykimit ndaj ish-deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Pjerin Nreu duke e pushuar. Ata u akuzuan për goditjen e kolegut të tyre demokrat, Gent Strazimiri, ngjarje e regjistruar në korridorin e Kuvendit. Gjyqtarët e lartë arsyetuan se ndjekja penale nuk duhet të kishte filluar.
Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, u shpall fajtor për “vjedhje” në shtator të vitit 2016. Ai u dënua me 1 vit e 8muaj burg për përvetësimin e 30 milionë lekëve bashkë me 5 ish-vartës, dënim që u zbut në Apelin e Tiranës.
Gjatë vitit 2017 Gjykata e Lartë “lau duart” me çështjen penale ndaj ish-deputetit Armando Prenga, duke ia kaluar për kompetencë Gjykatës së Kurbinit. Dosja u zhvendos për shkak të dorëheqjes së deputetit, që akuzohej për tre vepra penale, konsumuar gjatë një përplasjeje mes tij dhe fisit Çali në Laç.
Dyshimi për inskenimin e një atentati të rremë dërgoi sitë pandehur ish-deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku. Pas tre viteve ping-pong në shkallët e gjyqësorit, verdikti përfundimtar u dha nga Gjykata e Tiranës në korrik 2018. Pafajësi për Doshin dhe 8 muaj burg për Mark Frrokun.
Asokohe Frroku vuante një dënim të mëparshëm me 6 vite burg për “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”, ndërkohë që ia doli të fitojë pafajësi për akuzën e vrasjes së një shqiptari në vitin 1999 në Belgjikë.
Vitin e kaluar përballja e politikës me drejtësinë kulmoi me procesin ndaj ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri. Ai u dërgua si i pandehur për “trafik narkotikësh” dhe “grup të strukturuar kriminal”, por gjykata vlerësoi se kishte përgjegjësi penale vetëm për “shpërdorim të detyrës”.
Ish-ministri u dënua me 5 vjet burg, dënim që u konvertua në 3 vjet Shërbim Prove. Krah këtyre përballjeve, ku në kampin kundërshtar ka qëndruar prokuroria, 10-vjeçari i fundit numëron dhjetëra përballje gjyqësore ku njerëzit e politikës janë vendosur përballë kundërshtarëve të tyre politikë.