Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Grabitja në Rinas, ish-shefi i sigurisë së aviacionit: Përgjegjësia e autoritetit civil dhe e policisë

Nga A2 CNN
11 Prill 2019, 23:00 | Kronikë
Grabitja në Rinas, ish-shefi i sigurisë së aviacionit:

Drejtuesit më të lartë të institucioneve drejtojnë gishtin mbi firmën kineze koncesionare për vjedhjen e 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasi.

Por në fakt, të gjithë drejtuesit e institucioneve, që sot po luajnë ping-pong për t’ju shmangur përgjegjësisë së grabitjes, kanë qenë anëtarë dhe kryetarë bordesh të aviacionit civil si dhe anëtarë të komisionit të sigurisë të aviacionit civil që prej vitit 2013.

“Ministri i sotëm, Sandër Lleshaj, prej vitit 2013 deri në vitin 2017-të ka qenë anëtarë i bordit të aviacionit civil, ndërsa nga viti 2017 deri në vitin 2018, ka qenë kryetar i këtij bordi. Ndërsa ministrja e sotme e Infrastrukturës, ka qenë drejtoreshë e ATA-s dhe si drejtoreshë ka qenë edhe anëtare e komisionit të sigurisë në fushën e aviacionit civil. Ajo ka marrë pjesë në 3 apo 4 mbledhje që ky komision zhvillonte në një vit. Ndërsa drejtori aktual i autoritetit të aviacionit civil ka qenë anëtar i bordit deri në vitin 2017, shef i kabinetit të ministrit të Transporteve dhe prej vitit 2017-të është drejtori i Autoritetit”, shprehet Dritan Goxhaj, ish-shef i OPS i sigurisë së aviacionit civil.

Pas ngjarjes së 2016-ës në aeroportin e Rinasit, autoriteti, sipas Goxhajt, duhet të kryente 3 herë brenda vitit auditin për elementët e sigurisë, gjë e cila nuk është bërë.

“Ata e kanë ditur se niveli i sigurisë nuk ka qenë në nivelin e normave që e përcakton ligji. Atëherë përse nuk kanë njoftuar institucionet e tjera përkatëse, në rast se e kanë parë që niveli i sigurisë është në këtë gjendje”, thotë Goxhaj.

Specialisti shkon më tej kur hedh hije dyshimi edhe mbi shërbimet e ofruara në aeroport. “Shërbimet këtu të ofrohen nga kompani të ndryshme dhe jo nga e njëjta kompani, e cila e ka kthyer në një monopol prej vitit 2010-të. Është e njëjta kompani, ICTS-ja”.

Sipas tij, deklaratat e zyrtarëve janë shfajësim dhe kontradiktore. “Siguria ka çeduar totalisht. Duke nisur nga Autoriteti edhe te policia e shtetit. Nuk ka pasur bashkëpunim. Pas grabitjes së vitit 2016-të, në çdo portë hyrëse të aeroportit u vendos një furgon policie, ndërsa kur ndodhi grabitja e dytë, nuk kishte më furgona policie në portat hyrëse. Policia duhet të bëjë të ditur se me urdhër të kujt u larguan furgonët nga portat hyrëse?”.

Që prej tetorit 2017, Goxhaj tha se ka dorëzuar në Prokurori dy kallëzime penale për drejtues të lartë të aeroportit dhe për shkak të këtyre denoncimeve që vinin në rrezik sigurinë e aeroportit të vetëm në vend, u shkarkua nga detyra për thyerje të kodit të etikës.

Sipas tij, autoritet shqiptare neglizhuan edhe licencimin e një kompanie siriane, e cila figuron në listën e zezë si përkrahëse e terrorizmit.

“Ajo kompani kishte probleme serioze me çështje të sigurisë. Ishte në bashkëpunim me një kompani ukrainase, e cila është në listën e zezë të SHBA-ve dhe drejtorë ekzekutivë të asaj kompanie kishin marrë një shtetas sirian, pilot në kompaninë siriane, i cili prej vitit 2013-të ndodhet në listën e personave të ndaluar për terrorizëm”, tha eksperti.

A2 CNN Livestream

Dita jonë