Hajdari: Unë jashtë Nismës? Do të jem patjetër një nga kandidaturat e partisë së re

Fushata zgjedhore nuk ka filluar vetëm për partitë mëdha, por edhe për subjektet që ende nuk ekzistojnë formalisht, por kanë ambicie të mëdha në zgjedhjet e 25 prillit. E ftuar në A2, deputetja Rudina Hajdari pohon se tashmë ”lufta” e saj nga Këshilli Politik dhe salla e Parlamentit “është zhvendosur në terren”.
Betejat e mëparshme, sipas saj, nuk kanë prodhuar hapjen e listave siç pretendonte, por kanë shënuar gjithsesi një minifitore, si vota parapëlqyese”.
Për Hajdarin, politika e vjetër dëshiron të mbajë status quon, “sepse nuk duan të lëshojnë pushtet, pranojnë vetëm rotacion politik”. Për këtë arsyeje, sipas deputetes, këto forca po tentojnë të bojkotojnë lëvizjen e re politike, së shpejti parti, Nismën e përbërë nga “njerëz të aftë që vërtetë duan të ndryshojnë diçka në Shqipëri, që kanë lidhje të mira me faktorin ndërkombëtar dhe kanë si objektiv futjen e Shqipërisë në BE”.
Për nivelin e pjesëmarrjes të Rudina Hajdarit ka patur lajme të ndryshme, ku disa pretendonin për një largim të saj nga ana e faktorëve të tjerë. Hajdari e mohon sërish këtë mundësi. “Jemi në një proces lindje, dhe normalisht kjo ka dhimbjet e veta. Por shumë njerëz po tentojnë të shtypin këtë lëvizje, duke fryrë kontrastet, ndërkohë që nuk është e vërtetë. Nuk mund të flitet se Rudina u largua nga Nisma, nga momenti që Nisma është një lëvizje civile, me të cilën kam një bashkëpunim shumë të bukur, ndërkohë që këtu flitet me termat e telenovelës”.
Deputetja madje e bën të qartë se ajo do të jetë formalisht pjesë e partisë që po formësohet. “Patjetër do të jemi një nga kandidaturat, jemi pranë një marrëveshje të brendshme ku kemi shpallur që bashkëpunimi jonë do të ecë më së miri, duke lejuar të avancojë personi që merr më shumë vota, dhe të jenë qytetarët që do të vendosin kush do të drejtojë partinë”, deklarojë ajo.
Sa për mbështetjen e Nismës nga ana e ndërkombëtarëve, Hajdari preferoi të fliste në emrin e saj, dike nënvizuar se relatat qe kemi patur me ndërkombëtarët kanë qenë ekselente, në të gjitha aksionet që kemi pasur, edhe në Parlament, sepse i kam qëndruar besnike parimeve të mia, edhe pse më është dashur të bëj shumë sakrifica”.