Hapja e negociatave, Rama: Nuk jam optimist për javën e ardhshme

Ka mbetur më pak se një javë nga takimi i 17-18 tetorit të Këshillit Europian, ku Shqipëria shpreson të marrë një “po” për hapjen e negociatave, por Kryeministri Rama duket se e ka të zymtë parashikimin. Në një intervistë për gazetën “The Irish Times”, kreu i Qeverisë pranon se nuk është optimist.
Rama nuk e lidh pesimizmin e tij me situatën e brendshme në Shqipëri apo gjendjen e institucioneve në vend. Problemin e gjente dinamikat mes vendeve anëtare të Unionit, duke e pikturuar popullin e tij –thotë gazeta irlandeze – një viktimë të mosmarrëveshjeve të BE-së.
Për “Irish Times” ka folur edhe kryedemokrati Basha, që ndonëse thotë se mbështet hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, problemet i gjen te gjendja në vend.
Bundestagu gjerman, ndonëse votoi pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, kërkoi plotësimin e një serie kushtesh para se Tirana të ulet në tryezën e bisedimeve me Brukselin. Holanda, një tjetër vend skeptik, kërkon që Shqipëria të bëjë më shumë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vendimtare do të jetë Franca që deri më tani ka heshtur, por mediat ndërkombëtare raportuan se Parisi kërkon ta shtyjë për vitin tjetër fatin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa kërkon fillimisht reformimin e vetë Unionit para se të vazhdohet me zgjerimin.

Shkarkoni aplikacionin e A2