Haradinaj shpërfill paralajmërimin, taksat nuk do të hiqen

Pavarësisht paralajmërimit të Shteteve të Bashkuara për të hequr taksën ndaj produkteve serbe dhe të Bosnje-Hercegovinës, kryeministri Ramush Hardinaj është i palëkundur në qëndrimin e tij.
Pas përfundimit të takimit me krerët e shtetit dhe disa ministra të kabinetit qeveritar mbrëmjen e së martës, Haradinaj përsëriti se tarifat do të hiqeshin vetëm kur Serbia të njihte Kosovën.
“Kam qenë i qartë që taksa nuk hiqet deri në njohje”, deklaroi kryeministri amerikan.
Më herët, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett u dorëzoi udhëheqësve të Kosovës një letër të nënshkruar nga tre zyrtarë të lartë amerikanë që paralajmërojnë masa të reja ndaj Kosovës nëse ajo nuk pezullon tarifat ndaj mallrave serbe.
Në letrën e nënshkruar nga Matthew Palmer, zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Laura Cooper, zëvendës ndihmëse e sekretarit të Mbrojtjes dhe John Erath, zëvendës drejtori për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, shprehet keqardhja për refuzimin e deritashëm të Kosovës për të dëgjuar këshillat amerikane.
“Kosova nuk ka mik më të mirë se sa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Është e pabesueshme që pas gjithë asaj që kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona”.
Atje citohet presidenti Donald Trump i cili në dhjetor të vitit të kaluar u shkroi presidentëve të Kosovës dhe Serbisë se ky është momenti që dy vendet të bëjnë përpara drejt integrimeve euro-atlantike. Zyrtarët theksojnë se meqë kërkesat për të pezulluar taksën, nuk u morën parasysh, Shtetet e bashkuara do të ndërmarrin masa që do të prekin edhe partneritetin në fushën e sigurisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2