Heritage Foundation: Përmirësohet liria ekonomike, por administrata e korruptuar

Shqipëria renditet e 52-ta në botë për sa i përket raportit të Treguesit të Lirisë Ekonomike për vitin 2019 të “Heritage Foundation”, duke u përmirësuar me 13 vende krahasuar me një vit më parë. Vlerësimi i lirisë ekonomike të Shqipërisë është rritur me 2 pikë duke e çuar atë në 66.5 pikë. Në raport thuhet se për të promovuar kandidaturën e saj në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka qenë duke kaluar në një sistem ekonomik më të hapur dhe fleksibël, duke zbatuar ristrukturime të ndjeshme.
Por ndërkaq në raport theksohet se Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfëra të Evropës, me një rritje ekonomike të ngadaltë, e cila pengohet nga një ekonomi informale e madhe si edhe një infrastrukturë energjetike dhe transporti të dobët. Gjithashtu për Shqipërinë raporti thotë se papunësia e lartë dhe një mungesë mundësish nxisin një emigrim të ndjeshëm.
Kritikë i bëhet edhe legjislacionit shqiptar të pronave, që raporti e vlerëson “të dobët” dhe nënvizon se procedurat për regjistrimin e pronave nuk janë efikase. Po kështu nuk kursehet as administrata publike, që sipas raportit të “Heritage Foundation” vazhdon të pllakoset nga mungesa e efikasitetit, paaftësia dhe korrupsion i gjerë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN