Hetimet kundër Trump, publikohen dëshmitë vendimtare

Hetimi i demokratëve për shkarkimin e presidentit Trump arriti nivele të reja të hënën, me publikimin e dëshmive kyçe, të dhëna pas dyerve të mbyllura.
Komente eksplozive të bëra nën betim, nga ish ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovich dhe Michael McKinley, ish-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, i dorëhequr në shenjë proteste.
Yovanovitch e cilësoi si të pandershme politikën ndaj Ukrainës të drejtuar nga avokati personal i Trump Rudy Giuliani, dhe si një lojë një partiake.
Ish ambasadorja dëshmoi se në fund të vitit të kaluar kishte mësuar nga zyrtarët ukrainas se Giuliani dhe një ish-prokuror po orkestronin një plan në Ukrainë dhe se do ta përfshinin atë. Një zyrtar i lartë ukrainas e paralajmëroi të ruhej.
“Fushata njollosëse e orkestruar nga ky kanal i parregullt ishte e suksesshme në largimin e ambasadores amerikane dhe dëmtimin e reputacionit të saj”, deklaroi demokrati Adam Schiff, kreu i Komisionit për Shërbimet.
Pas sulmeve të përsëritura nga aleatët e Trump, si djali i tij Don Jr. dhe Giuliani, Jovanovitch kërkoi mendimin e ambasadorit në BE Gordon Sondland. Përgjigja e tij ishte e qartë, “ duhet të ndihmosh ose shko në shtëpi”.
Gruaja dëshmoi se ishte ndjerë e kërcënuar dhe se Departamenti i Shtetit nuk kishte bërë asgjë për ta mbrojtur.
McKinley, nga ana e tij, tha se ishte shqetësuar nga raportimet se qeverive të huaja po u kërkohej të siguronin informacione negative për kundërshtarët politikë dhe nga përdorimi i ambasadorëve përtej oqeanit, për arritjen e objektivave politike në atdhe.
Ai dëshmoi se kishte shkuar tre herë tek Mike Pompeo për të sinjalizuar mbështetjen për Yovanovitch. Por Pompeo nuk u përgjigj. Kjo bie ndesh me deklaratën në ABC News, ku sekretari i Shtetit deklaroi: “Nuk e dëgjova kurrë të thotë diçka mbi shqetësimet e tij, lidhur me vendimin e marrë”.
Në qendër të hetimeve është biseda telefonike mes Trump dhe presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, gjatë së cilës kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkoi zhvillimin e hetimeve për rivalin politik Joe Biden në këmbim të ndihmës financiare.

Shkarkoni aplikacionin e A2