I refuzoi Brukseli, Rusia fton Shkupin dhe Tiranën në Unionin Euroaziatik

Pas refuzimit të Brukselit për t’i hapur dyer e anëtarësimit Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një tjetër union është i gatshëm të mirëpresë të dyja vendet ballkanike, ai euroaziatik.
Ftesa erdhi nga përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Bashkimin Europian, Vladimir Chizhov gjatë forumit ekonomik të Euroazisë në Verona të Italisë.
Diplomati rus vlerësoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë më shpejt mirëkuptimin brenda Unionit Ekonomik Euroaziatik se sa në Bashkimin Europian.
“Jam i sigurtë se vendet kandidate për anëtarësimin në Bashkimin Europian, e që janë lënë në ‘ngrirje’ nga Brukseli, mund të gjejnë një mirëkuptim më të madh në Unionin Ekonomik Euroaziatik”, deklaroi Chizhov.
Bjellorusia është i vetmi shtet europian, pjesë e unionit ekonomik euroaziatik i themeluar në 2014-tën nga liderët e Rusisë, Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Serbia nënshkroi një marrëveshje për tregtinë e lirë me unionin e drejtuar nga Rusia, mes paralajmërimeve të Bashkimit Europian se do të monitoronte nga afër marrëdhënie të tilla.
E negociuar prej 2016-tës, marrëveshja do të lejojë eksportimin pa tarifa të 95.5 përqind të produkteve mes vendeve që janë pjesë e grupit.

Shkarkoni aplikacionin e A2