Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Idrizi: Qeveria e mbushur me skandale, vendit i afrohet një “acar” i madh ekonomik

Nga A2 CNN
7 Shtator 2020, 14:34 | Politikë
Idrizi: Qeveria e mbushur me skandale, vendit i afrohet një

Sot kemi një datë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, 25 prillin, që me sa duket, Presidenti i Republikës e ka përzgjedhur si një datë të mesme, mes alternativave që ofruan si propozime në parim palët. Data është dekretuar dhe nuk ka pasur kontestime e “de facto” motorët paraelektoralë të palëve, duken prej kohësh të ndezur.

Secila palë pretendon fitore të padiskutueshme, duke mos e llogaritur të dytin si alternativë konkurruese, madje socialistët edhe në fund të dy mandateve deklarojnë se “më të mirët nuk janë, por alternativë tjetër nuk ka”.

Por çfarë ka prioritet në këtë fazë poli tjetër, a janë në unison zërat që përfaqësojnë opozitën e bashkuar dhe cila do të jetë formula me të cilën do të dalin në këto zgjedhje?

Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve ishte i ftuar në A2 Shpëtim Idrizi, kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Sa i përket datës së zgjedhjeve të vendosur një ditë më parë, Idrizi u shpreh se për opozitën është mirë të shkojë sa më parë në zgjedhje, pasi vendi është në krizë.

“Për opozitën, data më e afërt që lejon kushtetuta do të ishte e mirëpritur, pasi ne mendojmë që vendi është në një krizë të tejzgjatur dhe sa më parë t’u drejtohemi qytetarëve aq më mirë do të jetë për vendin. Vetëm një javë ka luajtur nga propozimi dhe besoj se është mirë për të gjithë”, u shpreh Idrizi për datën e zgjedhjeve, të cilat do të mbahen më 25 prill të vitit të ardhshëm”.

Për Idrizin, qeveria është e përfshirë, veçanërisht në mandatin e dytë sipas tij, në skandale të shumta. “Sidomos mandati i dytë i kësaj qeverie është i përshkruar nga skandale të mëdha, nuk ka asnjë rekord pozitiv. Me dy vendimet e gjykatave të arbitrazhit, Shqipëria është penalizuar me rreth 150 milionë euro, një shumë që kalon edhe atë që qeveria shqiptare dha si ndihmë për ekonominë gjatë pandemisë. Edhe një vit më parë kur ne bëmë zgjedhje moniste, Rama kishte një target elektoral prej 750 mijë votash, ndërsa tani e ka rritur me 50 mijë, dhe në zgjedhjet e fundit dolën në votime vetëm 15% e shqiptarëve. Kemi një parlament të cunguar, por edhe me legjitimitetin për nga mënyra se si është krijuar, një parlament monist. Shqipërisë i afrohet një acar shumë i madh ekonomik. Nuk duhet harruar fakti që kjo qeveri është përgjegjëse edhe për të gjithë ata njerëz që humbën jetën nga tërmeti sepse minimalisht nga muaji shtator që ra tërmeti i parë deri në nëntor, këta njerëz nuk duhet të ishin lejuar të jetonin në ato ndërtesa”, u shpreh Idrizi.

Për Idrizin, Rama nuk ka se çfarë të prodhojë më, pas 21 vitesh në pushtet, duket që është i lodhur, duket që është i plakur, shprehet ai.

Në fund, Idrizi u pyet edhe për kufirin detar me Greqinë. “Çdo qeveri, kjo e fundit është bërë kampion, ka fshehur agjendën dhe ka avancuar në agjendën greke. Shqipëria ka një agjendë problematike, të mbartur, historike, por edhe të ditëve të sotme me Greqinë, duke filluar nga heqja e ligjit të luftës. Gjëja e parë mes dy fqinjëve të mirë është të mos jemi në luftë, tjetër është heshtja për Çamërinë, hapja e shkollave shqipe për ta. Ndërkohë, shohim që ka avancuar vetëm agjenda greke”, tha Idrizi.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani