Ikjet në Mjekësi, Rakacolli: Lëvizshmëria fenomen normal, kemi punësuar 765 këtë vit – A2

Ikjet në Mjekësi, Rakacolli: Lëvizshmëria fenomen normal, kemi punësuar 765 këtë vit

Zëvendës ministria e Shëndetësisë Mira Rakacolli e ftuar në A2 ka ulur disi alarmin për shifrat e ikjeve në fushën e mjekësisë, sidomos për sa i përket infermierëve.
Rakacolli mohoi që ekziston një ikje në masë, dhe mendon që kemi të bëjmë “për lëvizshmëri, diçka normale në shoqërinë evropiane sot. Them me përgjegjësi që shifrat janë të fryra dhe fenomeni për infermierët nuk është aq alarmant”, u shpreh zëvendës ministrja.
Sipas saj, madje, shifrat tregojnë të kundërtën, “ne kemi hapur portalin Infermierë për Shqipërinë, dhe aplikimet kanë qenë mbi 3000 për tu punësuar brenda vendit. Nga këto ne kemi punësuar deri në fund të nëntorit 765 infermiere, duke plotësuar kërkesat që ka Shqipëria”.
Rakacolli pranon disa mungesa por që interesojnë “zona të vështira gjeografike” që nuk preferohen nga personeli mjekësor, por që edhe për ata është menduar një sistem për të cilin do të sigurohet shërbimi.
Politikat e Qeverisë për pjesëtaren e ekzekutivit kanë qenë të duhurat, “rrogat janë rritur vjet me 10%, këtë vit me 7%, hera e parë që rritet dy vite rresht”.
Rakacolli pranon “mangësi për mjekët specialistë”, por sipas saj në 2019 do vinë brezat e para të specialisteve, duke përmirësuar situatën, të incentivuar edhe nga pagat që mund të arrijnë 2milion e gjysmë lekë të vjetra, pa marrë në konsideratë studentët që po kthehen nga studimet jashtë ose rreth 200 mjekët e huaj që po ushtrojnë në Shqipëri.

Shkarkoni aplikacionin e A2