“Illyrian Guard”, PD: Policia politike që Rama do të përdorë në zgjedhje

Partia Demokratike denoncoi përdorimin politik që sipas saj po bëhet nga Qeveria me shoqërinë shtetërore “Illyrian Guard”. E ngritur me qëllim ruajtjen e objekteve shtetërore, demokratët besojnë se ajo po kthehet në një polici politike.

“Kjo skemë është ideuar për t’i ardhur në shërbim një qëllimi shumë më madhor dhe jetik për kryeministrin e PPP-ve, ortakun e krimit të organizuar, autorin e kanabizimit të vendit, rrënuesit të ekonomisë dhe zbrazjes së vendit: krijimi i një policie politike, e cila më shumë se kurdo, do t’i duhet dhe do të përpiqet t’i vijë në ndihmë në zgjedhjet e ardhshme”

Departamenti i Antikorrupsionit, PD
Shoqëria “Illyrian Guard” u krijua me një Vendim të Këshillit të Ministrave në prill 2019, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit në ruajtjen e objekteve shtetërore dhe uljen e kostos për këtë shërbim që ofrohej nga të ashtuquajturat polici private.