Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Impeachment! Trump, një President nën akuzë

Nga A2 CNN
1 Janar 2020, 14:33 | Aktualitet
Impeachment! Trump, një President nën akuzë

Donald Trump, manjat i pasurive të patundshme shokoi mbarë opinionin publik, kur pavarësisht projeksioneve në sondazhe, mundi rivalen demokrate Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke u bërë presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mungesa e eksperiencës në politikë dhe personaliteti kontrovers i Trump, premtuan që prej fillimit një udhëheqje ndryshe nga ajo që kishte pasur deri më tani shteti më demokratik në botë.

Dhe në fakt, biznesmeni i kthyer në politikan nuk i zhgënjeu pritshmëritë, duke u përfshirë në polemika e skandale që kulmuan në 16 dhjetor të vitit 2019, kur u bë Presidenti i tretë amerikan që përballej me akuzat për shkarkim. Impeachment, siç njihet në SHBA procedura për shkarkimin e një zyrtari të lartë qeverisës, u bë fjala më e përdorur gjatë presidencës Trump.

Por çfarë nxiti demokratët të rikthejnë një kapitull të hidhur të historisë amerikane dhe cilat do të jenë kostot për Trump dhe politikën amerikane në përgjithësi në prag të zgjedhjeve të vitit 2020? Për këtë do të flasim sot në “Ditarin Ndërkombëtar”.

Thirrjet për nisjen e procedurave të shkarkimit ndaj Donald Trump në kongresin e kontrolluar nga republikanët nisën që në vitin e parë të presidencës së trazuar, kur ligjvënës demokratë e akuzonin për pengim të drejtësisë në hetimin për bashkëpunim të mundshëm me Rusinë.

E megjithatë në atë kohë lidershipi demokrat nuk e mbështeste mundësinë e nisjes së procedurave, me frikën se nisma do të rezultonte në një boomerang kundër partisë. Demokratët fituan kontrollin e dhomës së përfaqësuesve pas zgjedhjeve të vitit 2018 dhe zgjodhën Nancy Pelosi-n si kryetaren e tyre të re. Ndërsa ajo e kundërshtonte me forcë çdo lëvizje drejt impeachment, mbështeti hetimet e një sërë komisionesh, që vunë në shënjestër veprimet dhe financat e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Në 17 janar të vitit 2019, u shpërfaqën pretendimet se Trump kishte udhëzuar avokatin e tij Michael Cohen të gënjente nën betim, lidhur me përfshirjen konfliktuale të Trump me Qeverinë ruse për ngritjen e një kulle Trump në Moskë. Edhe kjo i dha hov thirrjeve për nisjen e procedurave të shkarkimit, por pa sukses. Publikimi i raportit të shumë pritur të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për hetimin e tij mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet e 2016-s dhe bashkëpunimin e mundshëm me Trump, nuk arriti në një konkluzion nëse kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte kryer ndonjë akt kriminal. Mueller ia kaloi topin kongresit, duke argumentuar se i takonte atij të mbërrinte në një përfundim të tillë.

“Pas gati dy vite hetime, mijëra fletëthirrje e qindra intervista, prokurori i posaçëm Robert Mueller konfirmoi se qeveria ruse kishte sponsorizuar përpjekjet për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale, por nuk zbuloi se fushata Trump ose amerikanë të tjerë kishin bashkëpunuar në këtë përpjekje…”, do të thoshte William Barr, Prokuror i Përgjithshëm.

“Nuk ka bashkëpunim, as koordinim, nuk ka asgjë është një gjueti shtrigash”, u shpreh Trump.

E megjithëse raporti prej 448 faqesh i Robert Mueller nuk ishte i fortë mjaftueshëm për të nxitur procedurat e shkarkimit, gjakrat mes demokratëve ishin ndezur edhe më shumë, ndërsa impeachment kishte nisur të përvijohej në horizont, si një realitet i mundshëm…Por pikërisht kur kishte filluar të brohoriste fitore, për atë që e quajti gjueti e dështuar shtrigash, Presidenca e Trump do të shkundej nga një tjetër skandal. Në fillim të muajit shtator, mediat amerikane filluan të raportonin mbi ankesën e një informatori sekret të komunitetit të inteligjencës, i cili pretendonte se Trump kishte përdorur postin për të nxitur një shtet të huaj të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2020. Ankesa detajonte shqetësimet se presidenti amerikan kishte shfrytëzuar një bisedë telefonike me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky në 25 korrik për t’i bërë presion atij të hetonte rivalin politik Joe Biden dhe djalin e tij Hunter. Informatori theksonte se biseda telefonike ishte zhvilluar disa ditë pasi Trump kishte pezulluar ndihmën ushtarake prej 400 milionë dollarësh ndaj Ukrainës.

Hunter Biden, avokat me profesion, kishte punuar për kompaninë ukrainase të naftës dhe gazit Burisma Holdings, nga viti 2014 deri në 2019-n. Trump me aleatët akuzonin Joe Biden, se kishte shfrytëzuar postin si zëvendëspresident për të nxitur Ukrainën të shkarkonte nga detyra një prokuror që po hetonte kompaninë Burisma, në mënyrë që mbronte djalin e tij.

“Jo, unë nuk e kam bërë, por Joe Biden ishte shumë i pandershëm në atë që bëri. Ai u kërkoi autoriteteve ukrainase të hiqnin qafe prokurorin, por ju nuk e raportoni diçka të tillë sepse jeni fake news”, do të shprehej Trump

“Prisni një sekondë… Askush, asnjë organizëm serioz nuk i ka dhënë kredibilitet një konstatimi të tillë, asnjë i vetëm. Kështu unë nuk kam asnjë koment tjetër, përveçse, Presidenti duhet të filloj të sillet si një President”, u mbrojt Biden.

Ndërsa fillimisht i mohoi pretendimet e informatorit, Trump, i detyruar edhe nga faktet që nisën të publikoheshin çdo ditë në shtypin amerikan, tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Zelenskyn, por se nuk kishte pasur asgjë të gabuar në telefonatë…

“Është një vazhdimësi e gjuetisë së shtrigave. Gjuetia me e keqe e shtrigave ne histori.  Por ne kemi të gjithë transkriptin e telefonatës, i cili do të publikohet nesër. Do të shihni se ishte një telefonatë perfekte”, tha Trump.

Por ajo që Trump e cilësonte si një bisedë perfekte dëshmoi atë që të gjithë e dyshonin. Më bëni një nder, i thoshte ndër të tjera Presidenti amerikan liderit të sapozgjedhur të Kievit, duke renditur ndër të tjera kërkesën për hetimin e Biden.

“Ishte një telefonatë normale, folëm për shumë gjëra. Askush nuk më shtyu të bëja diçka, u mbrojt Zelensky.

Përfshirjen në skandalin që mund t’i kushtonte postin Presidentit amerikan, Zelensky as nuk e kishte menduar e as nuk do ta dëshironte. Por ndërsa edhe ai iu bashkua korit të mbështetësve të Trump, në përpjekjen për të zhdramatizuar situatën, ajo që kishte ndodhur pas kuintave të diplomacisë në Ukrainë, po zbulohej gradualisht në formën e skenarit të një filmi mafioz, hollivudian.

Çështja e Ukrainës po merrte përmasa gjithnjë e më dramatike, duke u zgjeruar në dinamika dhe personazhe, aktori kryesor rezultoi të ishte Rudy Giuliani, avokati personal i Donald Trump, dhe arkitekti i taktikave të presionit, së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në BE, Gordon Sondland. Taktikat u vunë në zbatim me ndihmën e 2 biznesmenëve me lidhje te dyshimta, Lev Parnas dhe Igor Fruman, të cilët Giuliani i dërgoi në Ukrainë për të kërkuar informacione që do të dëmtonin fushatën presidenciale të Joe Biden. Kanali zyrtar diplomatik në Ukrainë, ishte spostuar haptazi, për t’i hapur udhën një diplomacie të nëndheshme…

Edhe demokratët që deri më tani i kishin bërë rezistencë thirrjeve për impeachment, tani i ishin bashkuar korit të shumicës. Në 24 shtator të vitit 2019-të, kryetarja e dhomës së përfaqësuesve Nancy Pelosi, njoftoi se 6 komisione të senatit do të fillonin një hetim zyrtar për ngritjen e akuzave zyrtare kundër Trump.

Joseph Maguire, drejtori në detyrë i qendrës kombëtare të antiterrorizmit, ishte i pari që doli para ligjvënësve në dhomën e përfaqësuesve. Atij ju desh të shpjegonte se përse kishte hezituar t’i dorëzonte menjëherë kongresit ankesën e informatorit sekret lidhur me bisedën telefonike mes Trump dhe Zelensky-t në 25 korrik. Joseph Maguire, drejtor i Qendrës Kombëtare të Antiterrorizmit: “Puna ime, si drejtor i agjencisë kombëtare të inteligjencës ishte t’i përmbahesha artikullit për mbrojtjen e informatorit dhe të dëgjoja për përkufizimin ligjor të  termit ‘shqetësim urgjent’”.

Ndërsa demokratët në dhomën e përfaqësuesve përpiqeshin të formonin pjesët e pazëllit, duke kërkuar prova e dëshmi që do të hidhnin dritë mbi çështjen që kishte përçarë jo vetëm kongresin por edhe Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë refuzoi të bashkëpunonte, duke penguar dëshmitë e zyrtarëve kyç, e duke mos dorëzuar dokumente të rëndësishme mbi komunikimet e presidentit me avokatin e tij Rudy Giuliani dhe zyrtarë të lartë në Ukrainë.

Pat Cipollone, këshilltar në Shtëpinë e Bardhë: “Asnjëherë më parë në historinë tonë, dhoma e përfaqësuesve nuk e ka tërhequr popullin amerikan drejt një shtegu kaq të rrezikshëm, të cilin duke e vendosur ta përshkojë”.

Por ndërsa Shtëpia e Bardhë ishte e vendosur të pengonte hetimin, zyrtarë e ish-zyrtarë të Departamentit të Shtetit e sfiduan haptazi atë, duke dalë para komisioneve të dhomës së përfaqësueseve me deklarata të forta kundër Trump. Një prej tyre ishte Marie Yovanovitch, ish-ambasadore e shteteve të bashkuara në Ukrainë, e shkarkuar papritur nga detyra në muajin maj. Yovanovitch e përshkroi departamentin e shtetit si të zbrazur nga brenda, dhe tha nën betim se ishte ndjerë e kërcënuar nga administrata Trump.

“Schiff: Ambasadore ju treguat kurajë që erdhët sot për të dëshmuar, ndërkohë që Departamenti i Shtetit ju kërkoi të mos e bënit. Praktikisht Presidenti ju kërcënoi ju në një telefonatë. Sa ndikim ka një qëndrim i tillë ndaj dëshmitarëve të tjerë?

Marie Yovanovitch: Është shumë frikësuese. Nuk mund të flas mbi atë që po përpiqet të bëjë presidenti, por mendoj se efekti është intimidimi”

Biseda mes Adam Schiff, kryetari i Komsionit të Inteligjencës dhe Marie Yovanovitch

Shpërthyese u konsiderua dëshmia e Gordon Sondland, ambasador i Shteteve të Bashkuara në BE, bashkëpunëtor kyç i Trump në çështjen e Ukrainës. Përballë mundësisë për të mbrojtur veten ose për të shitur Presidentin amerikan, ai zgjodhi këtë të dytën duke ofruar disa prej provave më komprometuese në hetimin për shkarkimin e Presidentit. Sondland dëshmoi nën betim se kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte refuzuar të takohej me Presidentin e Ukrainës pa i vendosur kushte atij, dhe se në 23 maj, zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit ishin udhëzuar të punonin me Rudy Giuliani-n për të adresuar shqetësimet e Trump lidhur me qeverinë ukrainase. Sondland tha se nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të bashkëpunonte me avokatin personal të Trump…

Gordon Sondland: “Ne nuk deshëm të bashkëpunonim me Giulianin por kuptuam se nëse do të refuzonim ta bënim, do të humbitnim një mundësi shumë të mirë për çimentimin e marrëdhënieve mes shteteve të bashkuara dhe Ukrainës. Kështu ndoqëm urdhrat e presidentit. A bëhej fjalë për një quid pro quo. Përgjigja ime është po”.

Pozitat e Trump u rënduan edhe më shumë pas dëshmisë së Bill Taylor, diplomati më i lartë amerikan në Ukrainë, i cili tha se kishte mësuar në mesin e muajit korrik se një takim i mundshëm Trump-Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, ishte kushtëzuar me hetimin e kompanisë “Burisma”, ku punonte djali i Joe Biden, dhe gjithashtu ndërhyrjen e pretenduar të Ukrainës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Taylor dëshmoi se krahas kanalit zyrtar diplomatik në Ukrainë që drejtohej prej tij, ekzistonte një tjetër kanal i parregullt informal, pjesë e të cilit ishin Giuliani, Kurt Volker e Gordon Sondland.

Bill Taylor: “Pas telefonatës me Presidentin Trump, pjesëtarët e stafit tim i kërkuan ambasadorit Sondland se çfarë mendonte Trump për Ukrainën. Ai u përgjigj se Presidenti është më i interesuar për hetimet ndaj Biden, diçka për të cilën po punonte Giuliani.

Dëshmitë e Kurt Volker, ish-përfaqësues i posaçëm i SHBA në Ukrainë, Fional Hill , ish-këshilltare për çështjet e Rusisë e diplomatëve të tjerë ofruan një panoramë edhe më të qartë të shtrirjes së lobimit të nëndheshëm për të bindur Ukrainën të vepronte sipas porosisë së Trump dhe për demokratët provat se Trump kishte abuzuar më pushtetin, ishin më se të mjaftueshme.

Për herë të tretë në historinë amerikane, dhoma e përfaqësuesve votoi për nisjen e procedurave të shkarkimit të një Presidenti në detyrë. Ndaj Trump u ngritën dy akuza zyrtare, për abuzim me pushtetin pasi i kërkoi Ukrainës të hetonte rivalin politik Joe Biden, dhe pengim të punimeve të kongresit lidhur më çështjen. Votimi u zhvillua gati plotësisht sipas linjave partiake, me demokratët që mbështetën akuzat dhe republikanët që i kundërshtuan.

Por çfarë nënkupton impeachment?

Pas finalizimit të fazës së parë, me ngritjen akuzave zyrtare nga dhoma e përfaqësueseve, procesi zhvendoset në senat, ku do të zhvillohet gjyqi kundër kreut të shtëpisë së bardhë. Për Trump, terreni atje, është më i favorshëm pasi senati kontrollohet nga republikanët, dhe ka pas gjasë të shpallet fajtor.

Kreu i gjykatës së lartë, John Roberts, do të drejtojë procesin gjyqësor. Një grup i përzgjedhur demokratësh nga kryetarja e dhomës së përfaqësueseve do të veprojnë si menaxherë të impeachment dhe do të parashtrojë akuzat kundër Trump. Ekipi ligjor i presidentit do të përgjigjet ndërsa senatorët do të vihen në rolin e juristëve. Qe presidenti te shkarkohej do te duheshin 2/3 e votave të senatit, diçka që nuk ka ndodhur kurrë në historinë amerikane, e as nuk pritet të ndodhe tani, pasi republikanët gëzojnë shumicën. Por a do të ketë e gjitha kjo një kosto për Donald Trump.

E gjithë vëmendja do të përqendrohet tashmë pas dyerve të senatit amerikan, ku për herë të tretë, pas Andrew Johnson dhe Bill Clinton do të gjykohet një president amerikan. Republikanët e cilësojnë si të pavlerë procesin, dhe kërkojnë zhvillimin e tij ne procedurë të përshpejtuar. Demokratët këmbëngulin për thirrjen e dëshmitarëve kyç, dorëzimin e dokumenteve nga shtëpia e bardhë. Vetë Trump shpreson se do të të dalë i paprekur nga e gjitha kjo, duke shpresuar pse jo, për forcim të pozitave, ashtu siç ndodhi me Bill Clinton kur ju nënshtrua procedurave të shkarkimit. E megjithëse shumë parapëlqejnë ta quajnë procesin ndaj Trump si më të njëanshmin në histori, për një President, impeachment mbetet një njollë e zezë, e cila në mos politike, kostot morale i ka të larta.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani