In Memoriam – Maks Velo (1935-2020)

Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare një ndër arkitektët shqiptarë më në zë. Simboli i dimensionit të lirisë jo vetëm në arkitekturë, por edhe në pikturë dhe ideologji, Maks Velo u shua këtë të enjte në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku ishte shtruar disa ditë më parë për shkak të shëndetit të dobët.
Prej disa vitesh, Velo vuante nga anemia, por nuk e la kurrë aktivitetin e tij, e kohët e fundit e kemi parë të mbronte kauzën e aleancës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Shqipëria kështu humb një nga mendjet e lira e të vendit.
Arkitekti që sot lë shenjë në shëmbëlltyrën e këtij kryeqyteti me projekte ndërtimi të rëndësishme, shumë herë edhe pjesë të trashëgimisë kulturore, Maks Velo, kërkoi modernen dhe lirinë kudo që shëtiste me mendje.