Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Incidentet në veri të Kosovës, ambasadori i SHBA: S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2022, 14:25 | Kosova
Incidentet në veri të Kosovës, ambasadori i SHBA: S’ka

“Nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës”. Është ky vlerësimi i ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, lidhur me situatën në terren pas incidenteve të së martës, ku u dëgjuan shpërthime dhe të shtëna me armë në Zubin Potok dhe Mitrovicën e Veriut. Duke shprehur shqetësim të thellë për episodet, diplomati kërkon që siguria për të gjithë qytetarët e Kosovës të jetë prioritet i lartë dhe bën thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjitha palët e përfshira.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që ushtruan dhunë gjatë incidenteve të së martës në veri të Kosovës. Duke u mbështetur në dhunë dhe frikësim, përfshirë përdorimin e pajisjeve shpërthyese dhe rrezikuar jetë, nuk është asnjëherë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”, tha Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA në Kosovë.

Edhe shefi i EULEX-it, Lars Gunnar-Wigemark, shprehu shqetësim pas incidenteve në veri, ndërsa kërkoi që të ruhet qetësia. Ai njoftoi se EULEX-i në Kosovë do të vazhdojë të monitorojë situatën në bashkëpunim të ngushtë me policinë dhe KFOR-in. Episodet me të shtëna dhe shpërthime në veri të Kosovës janë dënuar edhe nga ambasadorë të vendeve të ndryshme në Prishtinë, si ai gjerman Jorn Rohde dhe ai francez Olivier Guerot, që shprehin zero tolerancë ndaj dhunë. Pavarësisht, incidenteve të organizuara nga strukturat ilegale serbe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të ndalet nga mbajtja e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 18 dhjetorit për zëvendësimin e kryetarëve të katër komunave të dorëhequr.

“Pavarësisht sfidave të cilat paraqiten në këtë kohë, KQZ-ja mbetet e përkushtuar për të kryer detyrat e veta dhe në këtë drejtim është edhe kjo ngjarje e sotme. Angazhimi ynë për zgjedhjet e lira dhe demokratike është i përhershëm”, tha Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ në Kosovë.

Për incidentet reagoi dhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se janë kryer nga bandat kriminale, ndërsa bëri të qartë se do të ketë prezencë të shtuar policore në veri të vendit për të luftuar kriminelët që paguhen nga Serbia dhe dirigjohen nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç.

A2 CNN Livestream

Dita jonë