Individët që marrin dy paga, paguajnë më tepër taksa

Aktualisht, pagat taksohen në mënyrë progresive me 3 fasha. Për pagat deri në 30 mijë lekë në muaj taksimi është 0, ndërkohë që pagat nga 30 mijë në 150 mijë lekë taksohen me 13%, ndërsa pagat mbi 150 mijë lekë me 23%. Por, çfarë ndodh me ata që kanë dy ose më shumë punë? Le të marrim shembullim e një personi që është i dypunësuar. Pagën e parë ai e ka 130 mijë lekë, për të cilën paguan një tatim të përllogaritur në 13 mijë lekë në muaj, ndërsa pagën e dytë e ka 100 mijë lekë në muaj dhe për të cilën paguan një tatim që përllogaritet në 9.100 lekë. Kur ai plotëson deklaratën e të ardhurave individuale, sistemi i njeh detyrime shtesë në vlerën e 11.900 lekëve në muaj, që rrjedh nga bashkimi i të dy pagave. Pra, personi në fjalë ka paguar gjatë vitit për këto dy paga 265 200 lekë, teksa duhet të paguajë pas plotësimit të deklaratës edhe 142 800 lekë. Për të diskutuar më shumë lidhur me mënyrën e plotësimit të deklaratës vjetore të të ardhurave, risinë e këtij viti në plotësimin e saj nëpërmjet formularit të paraplotësuar, por edhe për bashkimin e dy pagave dhe taksimin e tyre, në studion e A2 Business ishte zonja Alketa Çabej, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.