Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Inflacioni në trajektore rënëse, çmimet u rritën me 7.4% në dhjetor pavarësisht festave

Nga A2 CNN
9 Janar 2023, 15:15 | Ekonomi

Niveli i inflacionit në vendin tonë u shënua në 7.4% për muajin dhjetor, duke regjistruar rënie për të dytin muaj radhazi dhe duke prekur nivelin e qershorit. Por kjo nuk do të thotë se çmimet po bien, por përkundrazi, që ritmi i kësaj rritjeje tani është më i vogël.

Lajmi i mirë është se ndryshe nga nëntori, vrulli i çmimeve ra lehtë edhe për ushqimet, veçanërisht tek fruta-perimet, vajrat dhe drithërat. Por nga ana tjetër, çmimet e mishit, qumështit dhe bulmeteve nuk ka njohur ende një kulm.

Arsyeja kryesore në rënien e treguesit të inflacionit ishte stabilizimi i çmimeve të karburanteve, ku nafta qëndroi në 199 lekë, nga kulmi prej 240 lekësh në muajt e mëhershëm. Por krahasuar me dhjetorin e kaluar, karburantet janë vetëm 6.4% më të shtrenjta.

Ndërsa të dhënat e INSTAT tregojnë edhe për një gjallërim të lehtë të konsumit, që përkon me periudhën e festave të fundvitit. Kjo është konstatuar kryesisht te veshjet dhe këpucët, mobilimi dhe pajisjet e shtëpisë, por disi më pak edhe në aktivitetet e argëtimit.

Pritshmëritë e ekspertëve, bazuar te çmimet ndërkombëtare në treg, janë që kjo tendencë rënëse të vazhdojë, por niveli nën 3% i inflacionit pritet të arrihet vetëm në vitin 2024.

A2 CNN Livestream

Dita jonë