Integrimi, Shqipëria nuk ecën prej Gjykatës Kushtetuese dhe Kodit zgjedhor Bullgaria bllokon Maqedoninë e Veriut

“Kushtet ishin aty, qeveria nuk ka kujt ia kërkojë përveç vetes”. Këto janë fjalët e ish-ministrit të Jashtëm dhe aleati i Edi Ramës, Paskal Milo e sheh të gabuar qasjen e qeverisë shqiptare për t’ia faturuar vendeve anëtare shtyrjen e uljes në tryezën e negocimit.
“Po nuk u hoq dorë nga kjo politikë as vitin tjetër nuk ulemi hapje negociatash. Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë të rëndësishme në këtë kuptim”, deklaroi Milo për A2.
Por socialistët mendojnë se i kanë përmbushur detyrimet e tyre, ndërsa demokratët e quajnë dështimin e radhës se Edi Ramës.
“Është një çështje e tyre e brendshme sesa një papërgatitje e jona, ne i kemi bërë prej vitesh ato që duhet të bënim”, thotë Arben Pëllumbi i PS.
Por sipas Aldo Bumçit, “Nuk është lodhur BE-j, kushtet janë të turpshme jo sepse janë të vështira por sepse janë të lehta, të kesh Gjykate Kushtetuese dhe një reforme zgjedhore me marrëveshje”.
Si njohës i vjetër i politikës së jashtme, Milo kërkon që loja me integrimin për politikë të ndërpritet, pasi të dy partitë kryesore e kanë sakrifikuar.“Sakrifikohen standardet dhe politikat europiane në emër të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht”, thotë ai.
Të martën ministrat e jashtëm europian nuk arritën dakordësinë të përcaktonin një datë për fillimin e Konferencës e Parë Ndërqeveritare që do t’i hapë rrugën anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Bullgaria vendosi veton për Shkupin zyrtar deri në zgjidhjen e problemeve me gjuhën, ndërsa Holanda vazhdon të jetë skeptike për Shqipërinë dhe përmbushjen e kushteve të vendosura ndaj saj.