Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Java politike në SHBA/ Rikthimi triumfues i Trump dhe përplasjet për debatin

Nga A2 CNN
9 Tetor 2020, 21:23 | Bota
Java politike në SHBA/ Rikthimi triumfues i Trump dhe përplasjet

Rrjedha që mori fushata zgjedhore në Shtetet e Bashkuara javën e fundit ishte çdo gjë tjetër veçse e zakonshme. Pak ditë pasi u tha amerikanëve se po kthenin kursin e pandemisë, e pasi kishte sfiduar haptazi rregullat anti-covid në aktivitete e tubime elektorale, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ishte prekur nga koronavirusi.

Testimi i shpeshtë në Shtëpinë e Bardhë nuk e mbrojti dot Presidentin, bashkëshorten dhe pjesën më të madhe të administratës së tij nga virusi që ka shkaktuar mbi 200 mijë viktima në SHBA. Infektimi i Presidentit e ndali fushatën zgjedhore dhe i ktheu reflektorët nga gjendja shëndetësore e një presidenti 74-vjeçar, që hyn tek grupet më të riskuara nga koronavirusi. Etja për informacion mbeti përgjithësisht e pashuar, ndërsa mjekët e pjesëtarë të stafit ishin shpesh kontradiktorë mbi gjendjen e Trump.

Fillimisht u fol për simptoma të buta, por vetëm pak orë më vonë erdhi lajmi për shtrimin e tij në spitalin ushtarak Walter Reed. Mjekët këmbëngulën se bëhej fjalë thjesht për një masë parandaluese, por edhe ky pretendim u rrëzua shpejt, me t’u mësuar se Presidenti kishte pasur rënie të nivelit të oksigjenit, kishte temperaturë të lartë dhe po merrte një trajtim të fortë, që u jepet pacientëve në gjendje të rëndë.

Por, edhe në sëmundje, Trump nuk është President si gjithë të tjerët dhe për të qetësuar mbështetësit e tij, nuk u mjaftua me postimet nga rrjetet sociale, por vendosi të bëjë një parakalim me SUV-in e blinduar, para turmës së mbledhur jashtë spitalit. Ekspertët e shëndetësisë dhe rivalët politikë e dënuan si të papërgjegjshëm veprimin e Presidentit, i cili, sipas tyre, kishte ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit agjentët sekretë që drejtonin automjetin.

Pas trajtimit 3-ditor me kokteil antitrupash të prodhuar nga kompania Regeneron, steroidin dexametazon dhe remdesivir, kreu i Shtëpisë së Bardhë la spitalin të hënën dhe bëri një rikthim teatral. Për t’i dhënë më shumë nuancë triumfuese fitores ndaj sëmundjes, Trump hoqi maskën në ballkonin e Shtëpisë së Bardhë e pas një përshendetje në stil ushtarak, postoi një video në rrjetin social Twitter, ku thoshte se ndihej 20 vjet më i ri dhe i kërkonte amerikanëve të mos kishin frikë.

Donald Trump tha: “Mos e lini t’iu dominojë. Mos kini frikë. Ne do të rikthehemi”.

Ndërsa mjekët këmbëngulnin se Presidenti nuk ishte ende jashtë rrezikut, Trump nxitoi t’i rikthehej punës në zyrën ovale, duke kthyer sytë nga debati i ardhshëm presidencial me rivalin Joe Biden. Po pres me padurim, tha Trump, por kandidati demokrat e bëri të qartë se nuk do të merrte pjesë nëse Presidenti do të ishte ende pozitiv me Covid-19.

Pasigurisë dhe pikëpyetjeve mbi fatin e përballjes së ardhshme mes dy pretendentëve në 15 tetor i erdhi fundi të enjten, kur komisioni që organizon debatet vendosi që ai të zhvillohej virtualisht. Përgjigjia e Presidentit ishte e prerë: “Nuk do të marr pjesë në një debat virtual. Nuk do të humbas kohën time”.

Duke mbetur tek debatet, një tjetër moment i rëndësishëm në prag të zgjedhjeve ishte përballja mes pretendentëve për zëvendëspresidentë. Në një debat civil, me stil më të moderuar e më pak agresiv sesa ai në duelin e parë mes Trump dhe Biden, Kamala Harris dhe Mike Pence u përballën për çështjet si pandemia, Gjykata e Lartë apo ekonomia. Në fund të një jave të pazakontë, sondazhet anojnë sërish nga kahu demokrat, madje me një diferencë edhe më të theksuar se para debatit apo para infektimit të Trump. Biden kryeson thuajse në të gjitha shtetet e pavendosura. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë