Jill Biden, zonja e parë e Amerikës

Jill Tracy Jacobs Biden e ka aspiruar prej vitesh titullin e zonjës së parë, duke iu afruar më shumë se kurrë në 2008, kur emërimi i bashkëshortit të saj si zëvendëspresident i Barack Obamës, e bëri zonjën e dytë të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë periudhës 8-vjeçare në këtë detyrë Jill ka qenë një nga zërat më të fortë në mbrojtje të familjeve të ushtarakëve, një çështje që e prekte edhe personalisht për shkak se një nga djemtë e familjes ishte ushtarak.

Në kuadër të kësaj çështjeje Jill u angazhua pranë organizatës “Me këmbë në tokë”, një strukturë jofitimprurëse që ndihmonte familjet e ushtarakëve në detyrë. Ajo, së bashku me Michelle Obaman, ndërmorën një iniciativë të quajtur “Forcat e Bashkuara”, në kuadër të së cilës i ofrohej edukim, punësim, por edhe kujdes shëndetësor stafit të ushtrisë dhe familjeve të tyre.

Jill është po ashtu autore e librit për fëmijë “Mos harro, zoti i bekoftë trupat tona”, një vëllim i bazuar në eksperiencën e mbesës së saj si fëmijë i një familjeje me prindër ushtarak. Ajo është bashkëthemeluese e programit “Miqtë e Librit”. Në vitin 2010, Jill Biden organizoi samitin e parë për Kolegjet komunitare, në Shtëpinë e Bardhë së bashku me presidentin e kohës Barack Obama dhe vijoi të ishte e angazhuar në projekte të ngjashme të administratës.

Të martuar që nga viti 1977, Jill dhe Joe kanë një vajzë Ashley si dhe dy djem Beau dhe Hunter, nga martesa e mëparshme e Joe, ndërsa bashkëshortja e këtij të fundit bashkë me vajzën e tyre, humbën jetën në një aksident automobilistik. Për sa i përket formimit, Jill ka dy diploma masteri dhe një doktoraturë nga Universiteti i Delaware dhe në pjesën më të madhe të karrierës së saj ka dhënë mësim të gjuhës angleze për nxënësit e arsimit të mesëm dhe për adoleshentët pranë një spitali psikiatrik.

Nga viti 2009, Jill ka ushtruar profesionin si profesore pranë kolegjit komunitar të Virxhinias Veriore, dhe është kthyer në rastin e parë që bashkëshortja e një zv.presidenti ka një punë më rrogë. Ndërsa ndiqte studimet, Jill ka provuar edhe modelingun, për një agjenci lokale në Pensilvani. Ishte një foto publicitare e Jill, ajo që tërhoqi vëmendjen e Joe, i cili e ftoi në një takim që pas dy vitesh solli dhe propozimin për martesë të Jill dhe Joe.