Jurisprudenca e Strasburgut: Autoritetet, tolerancë në protesta

Bashkë me protestat opozitare të nisura më 16 shkurt, në qendër të debatit publik në vend është vënë edhe mënyra e reagimit shtetëror ndaj tyre.
A2CNN ka siguruar vendimin e Gjykatës së Tiranës për shtatë nga të arrestuarit ku, referuar Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, theksohet toleranca që duhet të tregojnë autoritetet shtetërore gjatë protestave.
Gjyqtari Erjon Bani thekson se e drejta e tubimit është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike. Sipas jurisprudencës së Strasburgut, kjo e drejtë nuk cenohet edhe në rastet kur disa prej protestuesve demonstrojnë dhunë.
“Një individ nuk pushon së gëzuari të drejtën e tij për lirinë e shprehjes, si rezultat i dhunës sporadike ose akteve të tjera të dënueshme të kryera nga të tjerët, në demonstratë, nëse individi në fjalë vazhdon të mbajë një qëndrim paqësor në qëllimet e tij ose të saj”. Çështja “Kudrevicius dhe të tjerë kundër Lituanisë”, thotë Dhoma e Madhe e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në praktikat gjyqësore të Strasburgut, çdo demonstrim në një vend publik mund të shkaktojë një nivel të caktuar çrregullimi të jetës së zakonshme, duke përfshirë ndërprerjen e trafikut. Sipas Gjykatës së Strasburgut “ky fakt në vetvete nuk e justifikon një ndërhyrje në të drejtën e lirisë së tubimit, pasi është e rëndësishme për autoritetet publike që të tregojnë një shkallë të caktuar tolerance”.
Në arsyetimin e vendimit, që liroi nga qelia shtatë të arrestuarit, Gjykata e Tiranës thekson se në rast se organizatorët kanë vënë në dijeni autoritetet përmbajtjen e protestës, atëherë protesta është e ligjshme.
Sipas gjykatës, policisë nuk i njihet më e drejta për të dhënë leje për zhvillimin e një tubimi, por ka vetëm kompetencë të garantojë lirinë e tubimit, të bëjë ndalimin dhe shpërndarjen e tij në rastet e parashikuara në ligj, apo të largojë personat që pengojnë zhvillimin normal të tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2