Kajmaku në A2: Ata që shpifin do të vihen para drejtësisë

Partia Demokratike pretendoi se ekzistojnë të dhëna, të bëra publike më parë, se Agim Kajmaku, kreu i Bashkisë Vorë, është subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit dhe nuk mund të ushtrojë funksion publik.

Në një letër drejtuar prokurorisë, PD-ja thotë se ai është “arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke”.
Vetë Agim Kajmaku reagoi për A2, duke deklaruar: “Sapo jam njohur me një tekst letre të publikuar nga PD-ja, ku pretendohet se unë jam dënuar dhe dëbuar nga shteti grek. Me përgjegjësi ligjore dhe bindje morale deklaroj se nuk jam dënuar dhe as jam dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet i BE-së, as nga Greqia. Ndërkohë që për vite të tëra kam qenë udhëtues i shpeshtë dhe korrekt në shumë vende të BE-së për llogari të biznesit tim familjar. Autorët dhe akuzuesit publikë që shpifin ndaj personit tim, për një qëllim të vetëm, atë të ndotjes politike të kundërshtarit, do të vihen përballë drejtësisë dhe detyrimit të gjetjes së provave të pretenduara. Por, ju drejtohem se të paqënën nuk mund ta pretendosh si të ndodhur”.

Shkarkoni aplikacionin e A2