Kamza, lojtarët viktima të dënimit, mbeten në udhëkryq

Viktimat e vendimit drastik për të përjashtuar klubin e Kamzës nga kategoria superiore janë padyshim futbollistët, të cilët mbeten në udhëkryq deri në fundin e sezonit.
Në seancën stërvitore të së mërkurës, në kampin stërvitor mbizotëroi qetësia dhe fytyrat e pezmatuara të lojtarëve të cilët nisën stërvitjet si zakonisht me shpresë për një dorë të butë nga disiplina por në momentin që u njohën me vendimin, ndërprenë gjithçka duke u kthyer në dhomat e zhveshjes të shkatërruar emocionalisht.
Njëzëri ata tregojnë se përtej veprimeve të drejtuesve, u përpoqën të ndalojnë dhunën por kjo nuk mjaftoi, ndërkohë që tashmë përtej karrierës, nga pas janë me dhjetëra familje të cilat jetojnë me të ardhurat e këtyre futbollistëve.
“Normalisht që jemi pa fjalë sepse treguam aty që nuk jemi pro dhunës. Pas këtyre lojtarëve janë edhe 30 familje, Federata shpresoj që t’i kenë menduar gjithë pasojat”, thotë Sebino Plaku.
Askush nuk ka dijeni se çdo të ndodhë në të ardhmen. E sigurt është se për shkak të disa individëve të cilët nuk kanë asnjë lidhje me shpirtin e garës, frymën dhe vlerat e futbollistëve, një grup harmonik si ai i Kazmës nuk do të ekzistojë më ose të paktën do të duhen disa vite për ta riparë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN