Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Kanabisi mjekësor, opozita: Favorizohen grupet kriminale

Nga A2 CNN
12 Maj 2020, 20:05 | Politikë
Kanabisi mjekësor, opozita: Favorizohen grupet kriminale

Legalizimi i kanabisit për përdorim mjekësor nuk është thjesht një ide. Qeveria ka më shumë se 1 vit që punon mbi projektin dhe ndonëse një ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm tha se 2019 ka shënuar rritje të kultivimit të paligjshëm, kryeministri Edi Rama pretendoi se e ka kontrollin mbi territorin.

“Situata është vënë në kontroll tanimë në mënyrë të konsoliduar. Nuk është thjesht një vit. Tani jemi në vitin e tretë apo të katërt të konsolidimit dhe nga ana tjetër kemi më shumë se një vit që punojmë për këtë projekt”, deklaroi kryeministri Rama.

Agjenda e kryeministrit ka një datë të afërt për finalizimin e projektit.

“Copyright nuk më intereson. Di që duhet ta shtyjmë përpara këtë proces dhe brenda këtij sesioni të parlamentit ambicia është që ta kalojmë”, shpjegon Rama.

Opozita ka kundërshtuar fort këtë iniciativë. Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji tha se këtë vendim qeveria po iu shtrin dorën grupeve kriminale

“Qëllimi i propozimit është që të legalizohet kanabisi që të prodhohet dhe në kapanone apo fabrika me ndriçim artificial për të pasur mundësi që të furnizohen grupet e strukturuara kriminale dhe grosistët e mëdhenj që kanë kapur gjithçka në Shqipëri”, deklaroi Ervin Salianji.

Aleatët e PD, shohin te kjo lëvizje përpjekjen e kryeministrit për të zhvendosur vëmendjen

“Ky është një moment për të larguar vëmendjen nga varfëria që ka pllakosur shqiptarët, nëse ai mendon se varfëria e shqiptarëve mund të kalojë ndërmjet drogës, por ligji për të cilin z. Rama flet nuk është gjë tjetër, por veçse legalizim i grupeve kriminale, fuqizimin ekonomik të tyre dhe të varfrin për ta vrarë, të mesmin për ta bërë të varfër dhe për të shkatërruar çdo ditë dhe më shumë ekonominë shqiptare dhe të ardhmen e shqiptarëve, legalizimi i kanabisit nuk është gjë tjetër veçse skandali i radhës”, tha Monika Kryemadhi.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani