Kapri: Kemi dështuar në procesin e dekomunistizimit, sot në shkolla periudha e diktaturës përmblidhet në një paragraf

Një mungesë e dukshme në rrëfimin historik të diktaturës komuniste është në edukim, dhe në një strategji kombëtare të mirëfilltë.
“Në këto 30 vite kemi dështuar në procesin e dekomunistizimit, që nga një anë të dënonte krimet e regjimit dhe nga ana tjetër të rehabilitonte shtresën e njerëzve që vuajtën nga sistemi komunist. Këto u bënë shkel e shko. U bënë gjyqe për shpërdorim detyre , ndërkohë që integrimi i shtresës politike nuk u bë kur duhet, me dëmshpërblime që vijnë me copa, me prona që ende nuk kthehen”, thotë historiani Erald Kapri në Absolut 4.
Por edhe sot shumë mund të bëhet. “Dënimi i krimeve duhet të ndodhet gjithmonë, edhe pas 100 vitesh. Duhet të kemi një ditë kujtese, një memorial kujtese, një program kombëtar që merret me regjimin komunist. Në Gjermani Hitleri studiohet shumë, ndërkohë që këtu kemi ende komplekse për të përmendur Enver Hoxhën”, vijon ai.
Minimalisht në pjesën e kulturës historike duhet të bëhet më shumë. “Shumë organizata private tentojnë të merren, por ne ende nuk kemi një datë kujtimi një muze i mirëfilltë nuk u ndërtua, ato që janë duken të ndërtuara për turistë, komerciale dhe më shumë për turistët e huaj, ku nuk mëson asgjë. Përjashtoj këtu “Shtëpinë me gjethe”, ku një studim më të thelluar dhe nuk kanë tentuar të zbukurojnë gjë. Kemi vetëm një seksion në Muzeun Historik Kombëtar, por është i paplotë”, thotë Kapri.
Mangësi ka edhe në vetë studimin e këtij kapitulli të historisë në bankat e shkollës. “Sot një libër historie për gjimnazistët nuk ka më shumë se një paragraf për komunizmin, ku madje tregohen më shumë disa aspekte pozitive të regjimit si elektrifikimi etj”.