Kërkesa e zjarrfikësve, ekipe vullnetare për zjarret në pyje e kullota

Në kulmin e temperaturave të larta, kur zjarret po djegin me dhjetëra hektarë pyje dhe kullota, zjarrfikësit sugjerojnë zgjerimin e ekipeve vullnetare.
Sipas specialistëve, këto ekipe, kanë edhe vrojtues që lajmërojnë shërbimet e specializuara, por edhe ndërhyjnë vetë me mjete rrethanore, për të minimizuar dëmet.
“Duhet parë që edhe grupet vullnetar në ato komuna, duhet të kenë vrojtuesit e tyre, në qoftë se pikasin ndonjë gjë. Më mirë të shkojmë dhe mos të ketë gjë, sesa mos të shkojmë. I kemi ndërtuar këto grupe, normalisht me mjete rrethanore si pompa të vogla shpine, në mënyrë që të ndalojnë aq sa munden zjarrin deri sa të ndërhyjmë ne, duke na ndihmuar shumë”, thotë Luan Shehu, shefi i stacionit të zjarrfikëseve në Kombinat.
Shehu përmend si shkak kryesor të këtyre zjarreve, punimet nga fermerët dhe pakujdesitë e kalimtarëve.
Javën e fundit, me dhjetëra hektarë kullota apo pyje janë gjendur në flakë. Ndërhyrja në Parkun Kombëtar Korab-Koritnik në Kukës ku ndërhyrja ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të thyer malor. Edhe në fshatin Boshaj të Kolonjës mësohet se janë djegur me dhjetëra hektarë pyje e kullota.
Në Borsh dhe në Cakran të Fierit gjithashtu janë shënuar vatra zjarri, ndërsa në total përllogariten më tepër se 50 ha pyje dhe kullota të shkrumbuara në të gjitha rastet.

Shkarkoni aplikacionin e A2