Kikia: Bashkëpunimi midis institucioneve të drejtësisë, komedi, këto njerëz jetojnë vetëm për show

Marrëdhëniet midis institucioneve të drejtësisë kanë qenë gjithmonë një nga arsyet kryesore për ngërçet e drejtësisë në vend. Por për analistin Mentor Kikia, këto marrëdhënie kanë marrë dimensionin e një shfaqje.
“Drejtësia nuk duhet të ketë çmim, ne duhet të shohim produktin. Nuk është vetëm çështje fondesh, por nuk është problemi tek marka e makinës që të përmbushë një hetim serioz dhe për të dënuar një person të implikuar në krime. Nuk është çështje e vetingut, por korrupsioni në drejtësi mbetet gangrena më e madhe dhe pengesa më e madhe për hetimin”, thotë Kikia në Absolut 4.
Sipas tij, “bashkëpunimi mes strukturave është një komedi që nuk ka nevojë për para. Kam parë vetë si në mënyrën më të paturpshme janë njoftuar mediat se si krerët e institucioneve të ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme do të nënshkruanin një marrëveshje bashkëpunimi. Më falni, por për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, nuk ka të bëj ky me vullnetin e kreut të institucionit, bashkëpunimi është përcaktuar nga ligji. E kanë për detyrë bashkëpunimin. Është e thjeshtë, është çështje e zbatimit të ligjit”.
Për të, kjo qasje është shndërruar në një lloj komedie “ku nuk percepton dot si funksionon shteti, duket sikur këto njerëz jetojnë vetëm për show”.