Kina dhe aleancat ndërkombëtare, në krye të platformës politike të demokratëve

Kina dhe aleancat ndërkombëtare janë në krye të platformës politike demokrate, e cila pritet të miratohet gjatë konventës së partisë. Siç thotë Zëri i Amerikës, platforma propozon më pak shpenzime për mbrojtjen kombëtare dhe kundërshton “luftëra pa fund”, ndërsa përpiqet të prezantojë objektivat e politikës së jashtme të partisë dhe të vërë në dukje ndryshimet nga Presidenti Donald Trump.
Ajo është hartuar nga një komision udhëheqësish demokratë, përfshirë ish-rivalin e Biden brenda partisë, senatorin Bernie Sanders, dhe përpiqet që të eliminojë hendekun mes krahut progresist të partisë, ku përfshihet edhe Sanders, dhe qëndrimin më të moderuar të Biden.
Në platformën e partisë, demokratët mbajnë një qëndrim të ashpër ndaj politikave tregtare të Kinës dhe përpiqen t’i karakterizojnë përpjekjet e Donald Trump si jo aq të ashpra sa ç’duhet.
“Ndryshe nga Presidenti Trump, ne do t’u bëjmë qëndresë përpjekjeve të Kinës dhe aktorëve të tjerë për të vjedhur pronën intelektuale të Amerikës dhe do t’u kërkojmë Kinës dhe vendeve të tjera që të ndalin menjëherë spiunazhin kibernetik kundër kompanive tona”, thuhet në platformë.
Në platformë kritikohen gjithashtu tarifat miliarda dollarëshe që presidenti amerikan ka vendosur ndaj mallrave kineze në një përpjekje për të arritur një marrëveshje tregtare me Kinën, duke i quajtur politikat e tij tregtare “të papërgjegjshme” dhe duke thënë se ato dëmtojnë fermerët amerikanë.
Charles Stevenson, profesor i politikës së jashtme amerikane në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, argumenton se ndryshimi më i spikatur në politikat e jashtme të zotit Trump dhe zotit Biden është se “Trump-i ka praktikuar një njëanshmëri agresive”, ndërsa zoti Biden e ka bërë të qartë se do që të kthehet tek një model diplomacie “ndërkombëtare, bashkëpunuese, pro-aleancave”, që mbizotëronte në administratat e kaluara.