KLSH: Dëmi ekonomik në 2018 arriti në 193 milionë euro

Institucionet shtetërore kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 24.1 miliardë lekësh apo rreth 193 milionë eurosh ndaj financave publike për vitin 2018. Sipas raportit vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, parregullsitë dhe shkeljet financiare janë shumë të larta, ndërsa dëmi ka prirje negative, duke u rritur vitet e fundit.
Këtij dëmi i bashkëngjiten edhe shkeljet e disiplinës financiare në fushën e të ardhurave dhe shpenzimeve jo me eficencë, që arritën në 1.5 miliardë euro.
Për të gjitha këto dëme, KLSH ka kryer 41 kallëzime kundrejt 122 punonjësve të administratës, prej të cilëve 33 titullarë institucionesh dhe 26 nëpunës të nivelit drejtues. Veprat penale për të cilat akuzohen këta punonjës të shtetit janë shpërdorimi i detyrës, shkelja e barazisë në tendera, si edhe falsifikim dokumentesh.
Institucioni vlerëson si shumë problematike detyrimet e prapambetura, të cilat e rrisin nivelin real të borxhit publik në 72% të PBB, shumë larg objektivit dhe deklaratave të qeverisë prej 65.5%.
KLSH deklaron se qeveria vijon me një planifikim shumë optimist të të ardhurave fiskale dhe deficitit buxhetor, teksa buxheti rrezikohet edhe nga shpenzimet për kontratat e Partneritetit Publik Privat, deficiti i skemës së pensioneve dhe vendimet gjyqësore.

Shkarkoni aplikacionin e A2